Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka mohuar se ai po shpërfillet nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, nëse shëndetësia nuk është prioritet dhe se po shpërfillet nga Qeveria, atëherë nuk e ka asnjë punë në Kosovë.
Ai në Komisionin për Shëndetësi i është përgjigjur edhe kritikave të deputetit të LDK-së, Armend Zemaj i cili tha se po menaxhon shëndetësinë nga Amerika.
“Shumë herë po më thua se po e menaxhon shëndetësinë prej Amerikës. Nëse do ta kisha menaxhuar prej Amerikës do të ishte më mirë, sepse do ta menaxhoja si amerikan”, ka deklaruar Latifi gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi.
Sipas tij, QKUK jep shërbime terciare, sekondare e ndonjëherë edhe parësore dhe nuk ka drejtues.
“Mua po më thuhet se barnat esenciale janë 70 për qind, ndërsa materiali shpenzues 92 për qind. Ne kemi divizione në QKUK, por nuk kemi udhëheqësi. Kjo do të ndërrohet. Unë nuk besoj se mund të komentoj se kjo është lënë ne këtë gjendje që pacientët të shkojnë jashtë vendit, por kjo është pak e qartë edhe në vetvete”, ka theksuar ai./TV Malisheva