Moska po zhvillon masa për të kufizuar hyrjen në Rusi për qytetarët e vendeve “armike”, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Lavrov tha se masat do t’i përgjigjen veprimeve “armiqësore të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj”, duke përfshirë “sanksione të paligjshme” dhe “vendime që shkelin të drejtat e qytetarëve dhe personave juridikë rusë”.
“Ne jemi duke punuar për një projekt-dekret presidencial për masat reciproke të vizave në përgjigje të veprimeve armiqësore nga një numër vendesh të huaja,” tha ai.
Nuk specifikohet se për cilat vende do të zbatohen masat, por qeveria ruse ka miratuar më parë një listë të shteteve dhe territoreve “që përbëjnë veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj”.
Lista përfshin Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, vendet e BE-së, Britaninë e Madhe, Ukrainën, Zvicrën, Norvegjinë, Japoninë, Korenë Jugore, Australinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe disa të tjera.