Lidhja Demokratike Kosovës (LDK) dënon gjuhën denigruese, fyese dhe përçarëse të kryeministrit të shkarkuar, Albin Kurtit, kundër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe partisë në përgjithësi.

Ndryshimi i shpeshtë i qasjes ndaj LDK-së dhe kryetarit të saj, Isa Mustafa, tregojnë jo vetëm natyrën egoiste e inatçore të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por manifestojnë edhe probleme personaliteti.

Përpjekjet e Kurtit për të krijuar përçarje në LDK, janë të kota, sepse partia e parë demokratike në Ballkan, ka përvojën dhe kulturën demokratike për të përballuar situata të tilla.

Për dallim nga Vetëvendosje, në LDK vlerësohet dhe respektohet mendimi ndryshe, por në fund vendimet merren me shumicë votash.

Kur u duhet për arsye shëndetësore, njerëzit e LDK-së mbahen edhe për shkopi. Por, shkopin nuk e kemi përdorur dhe nuk do ta përdorin asnjëherë për ta goditur dikë apo për t’i gjuajtur institucionet e shtetit dhe as pronën private të askujt. Siç ka bërë dhe po paralajmëron se do të bëjë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti.

Sulmet e fundit kundër kryetarit të LDK-së dhe personaliteteve të partisë, na bëjnë më të fortë dhe konsistentë për të mbrojtur shtetin dhe interesat e qytetarëve.

Lidhja Demokratike ju bën thirrje gjithë qytetarëve që të mos bien pre e fushatave linçuese të orkestruara nga Vetëvendosje kundër çdo personaliteti publik dhe privat që mendon ndryshe nga ata. LDK-ja beson dhe punon për forcimin e institucioneve dhe mekanizmave të krijuara nga shteti i Kosovës, për të garantuar liritë qytetare, lirinë e fjalës dhe mendimin ndryshe./ Tv Malisheva

Share.