Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur sot të pajtohen me qeverinë lidhur me çështjen e të hyrave vetanake të komunave. Të dy këto parti opozitare kanë deklaruar se do t’i rikthehen votimit në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka shprehur kundërshtinë e kësaj partie, duke thënë se nuk do marrin pjesë në votim.
Tahiri: Ne nuk do të marrim pjesë
“Si Grup Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ne nuk do të marrim pjesë deri në një qëndrim tonin të ardhshëm politik”, ka deklaruar Tahiri.
Në anën tjetër, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka theksuar se janë dakorduar që javën e ardhshme në kuvend të shqyrtohet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Buxhetin, ku do të mundësohet shfrytëzimi i të hyrave vetanake.
Gashi: Ne do të marrim pjesë në proceset në kuvend
“Në bazë të asaj që diskutuam edhe me ju, u dakorduam që javën e ardhshme të vije në kuvend plotësim-ndryshimi i Ligjit për Buxhetin, ku komunave do tu mundësohet shfrytëzimi i të hyrave vetanake dhe kjo çështje do të zh’bllokohet. Duke marrë parasysh këtë dakordim, ne si grup parlamentar do të marrim pjesë në proceset në Kuvendin e Kosovës”, është shprehur Gashi.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është pajtuar për të vijuar me pjesëmarrjen në Kuvendin e Kosovës.
Tahiri: AAK do të marrë pjesë në votim
“Grupi i ynë parlamentar po ashtu e ka ngritur këtë çështje shumë më herët, për shkak se të hyrat vetanake janë të komunave dhe i gjithë debati ka qenë në funksion të marrjes së këtyre mjeteve në komunave. Ne kemi një dakordim nga grupi parlamentar i LVV-së dhe nga ministri Murati për këtë temë. Pra, për transferimin e të hyrave vetanake që janë të domosdoshme. Ne si Grup Parlamentar, po ashtu kemi kërkuar një interpelancë për rishikim të buxhetit që lidhet me kërkesën tonë që koeficienti të ngritet në 129 euro. Ne do të marrim pjesë në votim”, ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Në seancën e sotme plenare, kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati ka informuar shefat e grupeve parlamentare për rishikimin e buxhetit për vitin 2023, sipas kërkesës së asociacionit të komunave.
/TV Malisheva