Analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka analizuar lëvizjet e fundit të LDK-së dhe LVV-së sa Ai përket koalicionit të tyre të mundshëm parazgjedhor, duke thënë se letrat e fundit të bëra publike nga të dyja palët janë shenjë përfundimtare se nuk do të ketë një gjë të tillë.
“Edhe LDK-ja edhe VV-ja janë në presion të opinionit. Këtë ndryshim ata e shohin të mundshëm vetëm nëse bashkohet LDK-ja dhe VV-ja në një koalicion, por mendoj se këto letrat janë shenjë përfundimtare se nuk do të ketë koalicion, sepse të dyja palët i ndajnë letrat e tyre”.
“LVV e pati një rresht të ashpër në letrën e tyre, ku thuhej që “ne jemi LVV dhe nuk i nënshtrohemi Këshillit të Përgjithshëm të asnjë partie tjetër”, dhe Mustafa e përmendi po ashtu vendimin e nominimit te Osmanit, pra kjo është një vijë e kuqe e kësaj partie”.
“Oferta e Albin Kurtit është dashur të bëhet para nominimit te Vjosa Osmanit për kryeministre. Pra nëse Isa Mustafa nuk e respekton vendimin, i bie qe e shkelë vendimin e Këshillit të përgjithshëm”.
“I gjithë ky debat është dashur të bëhet para marrjes së vendimit. Ka pas kohë të mjaftueshme qysh pas dorëheqjes se Ramush Haradinajt që të tentohet të arrihet kjo marrëveshje për koalicion. Nuk është bërë dhe tani sikur kërkohet të hiqet fajësia si nga ana e Mustafës ashtu edhe Kurtit”.
“Mendoj se përfundimisht që çështja e kandidaturës ka marrë fund me vendimin e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së”, ka deklaruar Muhaxhiri në Klan Kosova.