Lëvizja Vetëvendosje është deklaruar në mbështetje të Marshit për Drejtësi i cili organizohet të dielën në Prishtinë. Marshi synon të tregojë përkrahje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj të cilëve më 3 prill fillon gjykimi në Hagë.
Partia e cila drejtohet nga kryeministri i vendit, ka shkruar në Facebook se lufta çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme.
“Lufta jonë çlirimtare është prej ngjarjeve historike më të vlefshme që kemi. Falë kësaj lufte të drejtë, sakrificës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve tanë, gëzojmë lirinë dhe shtetin që e kemi sot. Instanca të njëpasnjëshme gjyqësie kanë provuar ta gjykojnë luftën tonë çlirimtare por asnjëra nuk gjeti asgjë andaj edhe u formua kjo gjykatë e padrejtësisë speciale që po i mbanë krerët e luftës tonë në Hagë” thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në njoftim thuhet se Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se ish-krerët e UÇK-së do të tejkalojnë me faqe të bardhë këtë sfidë duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë.
“Rexhep Selimit, ish-shefit të grupit tonë parlamentar, anëtarit të Kryesisë, që së bashku me Lëvizjen ishin kundër themelimit të kësaj gjykate, i është këputur përgjysmë angazhimi i rëndësishëm e kontributi i mirë për vendin. Por, është e sigurt se Rexha ashtu siç ka kryer secilën punë me sukses do të dali fitimtar edhe në betejën e radhës. Ne jemi të bindur se ata do ta tejkalojnë me faqe të bardhë edhe këtë sfidë, duke mbrojtur edhe njëherë luftën e drejtë të UÇK-së dhe popullit të saj nga akuzat e padrejta dhe nga fushatat që synojnë përbaltjen e luftës së shqiptarëve të shtypur”, përfundon njoftimi.
“Marshi për Drejtësi” është organizim i platformës “Liria ka emër” dhe mbahet më 2 prill në sheshin e Prishtinës./TV Malisheva