Lideri i subjektit politik NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj në tubimin e mbajtur me strukturat  dhe anëtarsinë e Nismas më datë 09 shtator 2019, në Malishevë , duket se ka kërkuar nga organet udhëheqëse të Komunës së Malishevës të dalin në teren dhe të shihen në teren duke punuar , një ditë më pas më 10 shtator, fillojnë punimete  në disa fshatra,  ky intensitet i fillimit të punimeve  lidhet me zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 06 tetor 2019, e ku dihet që Malisheva është komuna e vetme që qeverisë Nisma

 

Ja postimet e bëra nga komuna për fillimet e punimeve në  disa vendbanime:

 

Ka filluar rregullimi i 1.8 km rrugë në Gurbardh

Malishevë, 10 shtator
Në fshatin Gurbardh të Komunës së Malishevës, ka filluar hapja dhe rregullimi i afro dy kilometrave rrugë, përkatësisht i 1 800 metrave rrugë, nëpër lagje. Në fillimin e punimeve në këto, ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është takuar edhe me banorët e fshatit.
“Këto investime, realizohen në kuadër të realizimit të projekteve, sipas listës së investimeve kapitale, që është hartuar duke u bazuar në kërkesat e qytetarëve. Në komunën tonë, rrugët kryesore janë të përfunduara, ndërsa tani jemi duke punuar në asfaltimin e rrugëve brenda lagjeve dhe gradualisht jemi duke i përfunduar të gjitha rrugët, edhe pse nevojat paraqiten në vazhdimësi, sipas zhvillimit në komunën tonë”, tha nënkryetari Berisha.
Nga ana tjetër, edhe banorët janë shprehur të kënaqur me rregullimin e këtyre rrugëve, pasi tani është bërë domosdoshmëri rregullimi i rrugëve edhe nëpër lagje.

 

Zgjerohet rrjeti i kanalizimit në Gurishtë

Malishevë, 10 shtator
Në kuadër të realizimit të projekteve për vitin 2019, në fshatin Gurishtë është duke u realizuar projekti i zgjerimit te rrjetit të kanalizimit, përkatësisht është në përfundim e sipër zgjerimi me 1200 metra kanalizim. Punimet në realizimin e këtij projekti, i ka parë nga afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është takuar edhe përfaqësues të fshatit.
“Ne jemi duke u munduar që ti plotësojmë të gjitha nevojat qukanë banorët, sidomos në infrastrukturë, në këtë rast, në rregullimin rrjeteve të kanalizimeve. Sisteme të kanalizimeve nuk kemi pasur asnjëherë në vendbanimet e Malishevës, dhe tani gradualisht jemi duke i rregulluar në tërësi, në të gjitha vendbanimet”, tha nënkryetari Berisha.
Me këtë rast, kryetari i fshatit Gurishtë, Afrim Mazreku, e ka falenderuar komunën për këtë investim, shumë domethënës për banorët e kësaj pjese të fshatit.
Në këtë fshat, i cili është karakteristik për shkak të konfiguracionit, sistemi i rrjetit të kanalizimit ka qenë i ndërtuar në pjesën më të madhe, ndërsa një pjesë e fshatit ka qenë pa rrjet të kanalizimit.

Filloi hapja e 1.5 km rrugë, që lidhë Ngucatin dhe Temeqinën

Malishevë, 10 shtator
Në fshatin Ngucat kanë filluar punimet për hapjen e rreth 1.5 km rrugë, ku pjesa më e madhe e kësaj gjatësie, është rruga që lidhë këtë fshat me fshatin Temeqinë. Kjo lidhje e rrugës ka rëndësi të madhe për banorët e lagjes së “Stolliqëve”, pasi rreth 60 fëmijë të tyre, vijojnë mësimin në shkollën e fshatit Temeqinë.
Për këtë qëllim, punimet në këtë rrugë i kanë parë nga afër, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Islam Vrenezi dhe udhëheqësi i Shërbimeve Publike, Fadil Shala, ku janë njoftuar me punimet që janë duke u zhvilluar në hapjen dhe zgjerimin e këtyre rrugëve, me theks të veçantë të rrugës që lidhë dy fshatrat.
“Zgjerimi dhe rregullimi i kësaj rruge, deri në asfaltimin e saj, ka rëndësi të madhe, sidomos për fëmijët, por edhe për të gjithë banorët, pasi kjo e shkurton rrugën për disa kilometra, për të shkuar nga fshati në fshat, por edhe për fëmijët, të cilët shkojnë në shkollën e Temeqinës”, tha nënkryetari Berisha, gjatë inspektimit të punimeve në këto rrugë.
“Po ashtu edhe dy rrugët tjera brenda fshatit Ngucat, kanë rëndësi të madhe për banorët që jetojnë në këto lagje dhe ne si qeverisje komunale, jemi të përkushtuar, që me aq sa kemi mundësi buxhetore, ti plotësojnë të gjitha kërkesat e banorëve, në të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës”, ka thënë nënkryetari Berisha.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Islam Vrenezi, ka sqaruar se është duke u bërë hapja dhe zgjerimi i rreth 1.5 km rrugë në Ngucat, por pjesa më e madhe, që ka gjatësi prej afro një kilometri, është ajo që lidhë dy fshatrat. Këto rrugë asfaltohen nga buxheti i Komunës së Malishevës.

 

Share.