Në kuadër të manifestimit “ Tetova feston nëntorin” është promovuar “Libri i luftës” i gazetarit dhe publicistit nga Kosova, Nuhi Bytyçi. Libri është vlerësuar si një dëshmi autentike mbi rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të popullit shqiptar. Ndërkohë që sponsori kryesor i këtij libri, afaristi dhe mbështetësi i përhershëm i vlerave kulturore kombëtare, Lazim Destani, ka shfaqur gatishmëri që të kontribuojë për përkthimin e librit edhe në gjuhën angleze, njofton KDP.
Librat janë dëshmi të një kohe, janë gjurmët e një përpjekjeje që stampohet si testament për brezat e ardhshëm. Librat janë një përpjekje e vazhdueshme kundër harresës, një përpjekje për t’i dhënë kohës fjalën e përjetshme, frymën e një pasioni dhe rrugëtimi që autori kërkon ta vendosë në partiturat e kujtesës së njerëzve. I tillë është edhe libri “Libri i luftës”, i gazetarit dhe publicistit, Nuhi Bytyçi, i cili është promovuar në Tetovë, në kuadër të manifestimit të organizuar nga Komuna e Tetovës “ Tetova feston nëntorin”.
Një libër që mban vulën e një gazetari të fisëm, i cili tashmë ka stampuar gjithë rrugëtimin e tij gazetaresk që shkrihet natyrshëm me gjithë përpjekjen e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Pikërisht, në këto koordinata profesionale, por edhe të misionit që ndërlidhet me fatin e Kosovës në gjithë ato ngjarje dramatike është vendosur vlerësimi mbi librin e Nuhi Bytyçit “Libri i luftës”. Fillimisht në këtë promovim, nëpërmjet një prezantimi sintezë, gazetari, Seladin Xhezairi, ka hapur trajektoren profesionale të Bytyçit.
Filantropi Lazim Destani ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë edhe për përkthimin dhe botimin e “Librit të luftës” edhe në gjuhën angleze.
“Në epokën e qëndresës të viteve 90-ta, kolegu, gazetari, Nuhi Bytyçi, me përkushtim dhe guxim profesional, kreu detyrën e gazetarit, duke afirmuar organizimin e sistemit të pavarur të Republikës së Kosovës, në fushën e arsimit, të shëndetësisë dhe të financimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, elemente këto që edhe nga të huajt janë vlerësuar si provë e vendosjes së shtetit social”, ka theksuar Xhezairi.
Sipas tij, Nuhi Bytyçi ishte në krah të qëndresës gjithëpopullore të Kosovës dhe jo vetëm të Kosovës, për liri dhe pavarësi.
Xhezairi ka theksuar se me fillimin e hovshëm të luftës çlirimtare, në vitin 1998, Nuhi Bytyçi bëhet pjesë e kësaj lufte, duke raportuar dhe duke realizuar emisione televizive për rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që nga Drenica, Dukagjini, deri te Llapusha, Anadrinia, Llapi, Shala dhe Neredimja.
Xhezairi është ndalur edhe te një moment shumë i veçantë në trajektoren profesionale të autorit të “ Libri i luftës”. Sipas tij, Nuhi Bytyçi, bashkë me kameramanin, Abaz Zekaj, ishin të parët që xhiruan dhe transmetuan në Televizionin Shqiptar dhe në mediat botërore paraqitjen e parë publike të zëdhënsit të UÇK-së dhe për mbijetesën e popullatës civile, madje edhe për organizimin dhe funskionimin e sistemit shëndëtësor dhe arsimor edhe në territoret e kontrolluara nga guerila shqiptare.
“’Libri i luftës’ është libri i luftës për thyerjen e censurës në Televizionin e Prishtinës, Libri i luftës për të vërtetën e Kosovës, i luftës për mposhtjen e frikës dhe dinamizimin e lëvizjes për liri”, ka thënë Xhezairi.
Profesori universitar Vebi Bexheti, ka theksuar se “Libri i luftës” i Nuhi Bytyçit përmes rrëfimeve origjinale dokumentare nga ngjarjet të cilat i ka përjetuar vet dhe ka raportuar nga to, na i përkujton që mos t’i harrojmë ato ngjarje. “Ky libër ka vlera të posaçme për historinë dhe publicistikën shqiptare dhe si i tillë do të jetë dëshmi e rrugëtimit të gjatë e të vështirë të popullit shqiptar”, ka theksuar Bexheti.
Bexheti ka përkujtuar kontributin dhe përkushtimin profesionist të Nuhi Bytyçit, të kolegut të tij Qani Mehemedit dhe kolegëve tjerë të tyre nga Radiotelevizioni i Kosovës për të informuar opinionin lidhur me zhvillimet gjatë periudhës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni në vitin 2001.
Sponsori kryesor i “Librit të luftës”, afaristi i suksesshëm edhe në nivel ndërkombëtar, Lazim Destani ka theksuar se duke e njohur mirë veprimtarinë e gazetarit të dëshmuar profesionist, Nuhi Bytyçi qysh nga vitet ‘90-ta, ka vlerësuar se duhet ta mbështes pa asnjë rezervë botimin e librit të tij, i cili pa dyshim ka përmbajtje dhe vlera tejet të çmueshme për historinë më të re kombëtare.
Destani ka shprehur gatishmërinë që të kontribuojë edhe për përkthimin dhe botimin e “Librit të luftës” edhe në gjuhën angleze.
Autori i librit Nuhi Bytyçi ka thënë se mesazhi i tij për opinionin, të cilin është munduar që ta thotë edhe në “Librin e luftës”, është i qartë: e tërë jeta e njeriut është luftë, ndërsa e tërë veprimtaria e një gazetari profesionist është lufta për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.