Në praninë e kryeministrave Kyriakos Mitsotakis të Greqisë, Kiril Petkov të Bullgarisë dhe Dimitar Kovacevski të Maqedonisë së Veriut, si dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel, po mbahet ceremonia e themelimit të terminalit të gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Aleksandropolis, Greqi.
Terminali lundrues do të vendoset 17.6 km në jugperëndim të Aleksandoupolis dhe 10 km nga bregu më i afërt. Ai do të ketë një kapacitet prej 5.5 miliardë metër kub gaz natyror në vit dhe pritet të hyjë në punë në vitin 2023.
I kombinuar me ndërlidhësin Greqi-Bullgari, ndërtimi i të cilit do të përfundojë së shpejti, terminali i LNG pritet të luajë një rol kyç në diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me gaz në Bullgari dhe të gjithë Evropën Juglindore.
Sistemi i Pavarur i Gazit Natyror i Aleksandoupolis (INGS) po ndërtohet nga Gaztrade, një konsorcium i Copelouzos Group të Greqisë, Gaslog Cyprus Investments Ltd. të Qipros, kompania e gazit DEPA, Bulgartransgaz e Bullgarisë dhe kompania greke e transmetimit të gazit DESFA.
Kryeministri grek tha se me këto projekte Greqia do t’i jep fund varësisë së saj nga furnizimet me gaz rus dhe do të zëvendësojë një pjesë të konsiderueshme të furnizimeve të gazit rus në Ballkan përmes inter-konektorëve midis Bullgarisë dhe Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, si dhe Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij në ceremoni, Kiril Petkov tha se “shantazhi ekonomik i Kremlinit ndaj vendit tim dhe Bashkimit Evropian nuk do të ketë sukses”.
“Besoj se kjo ditë do të mbetet në historinë politike. Ajo do të mbahet mend për aspiratën për liri ekonomike dhe pavarësi,” shtoi ai.
Petkov tha se pezullimi i furnizimeve me gaz ishte një presion i paprecedentë nga Rusia dhe vendet e BE-së mund ta kundërshtojnë atë vetëm nëse qëndrojnë të bashkuar.
“Sot, Bullgaria dhe Greqia, të bashkuar nga një vizion i përbashkët dhe të mbështetur nga institucionet e BE-së, vendosin fillimin e një terminali lundrues për LNG. Nuk është vetëm një projekt energjetik, por një projekt gjeopolitik që do të ndryshojë hartën energjetike të rajonit”, tha Petkov.
Delegacioni bullgar për veprimtarinë përfshinte gjithashtu ministrin e Energjisë Aleksandër Nikolov dhe CEO të Bulgartransgaz Vladimir Malinov.
/TV Malisheva