Lideri i inciaitivës qytetare, ‘Mbijetesa serbe’ në Mitrovicën e Veriut, Aleksander Arsenijeviq, u ka bërë thirrje strukturave paralele të Serbisë në Kosovë që në komunat me shumicë serbe të formojnë pika ku serbët mund të votojnë për zgjedhjet e 3 prillit dhe votat të transportohen në qendrat e votimit në Serbi.
Ai ka thënë se nëse serbët e Kosovës votojnë në vendvotimet në Serbi atëherë i japin legjitimitet “mosrealizimit të të drejtave të qytetarëve tanë në Kosovë”.
Arsenijeviq është shprehur poashtu që zgjedhjet e Serbisë duhet të organizohen në Kosovë.
“Ne kërkojmë të formohen pika votuese në komunitete serbe që qytetarët të jenë të barabartë dhe transportimi të mos organizohet vetëm për qytetarët që janë përcaktuar për të votuar për partinë në pushtet sepse ata kanë strukturën e tyre që ua mundëson transportimin e votueseve”, tha ai, shkruan Kossev.
Ai ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrë ndonjë aksion të forcave të policisë në komunat ku jetojnë serbët.
Tutje Arsenijeviq kërkoi nga KFOR-i që të shtojë prezencën në zonat ku jetojnë serbët në Kosovë.
“Unë poashtu kërkoj nga KFOR-i që të rrisë prezencën dhe patrullimet në komunat me shumicë serbe në 20 ditët e ardhshme sepse mundësia për një eskalim të konfliktit është nëse forcat speciale të policisë së Kosovë hyjnë në zonat me shumicë serbe”, tha ai.
/TV Malisheva