Në Itali vijojnë përpjekjet për të krijuar të gjitha kushtet për rinisjen e kampionatit dhe vetëm ditën e djeshme Federata e Futbollit dorëzoi në qeveri protokollin e modifikuar të sigurisë, në pritje për të marrë “dritën jeshile” për nisjen e ndeshjeve.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme edhe Liga e Serisë A ka zhvilluar Asamblenë e saj online, ku klubet kanë diskutuar për datën e nisjes së kampionatit, si dhe për kalendarin, që pritet të jetë vërtetë i ngjeshur.
Kështu nga dy data që ishin si opsione të mundshme për rinisjen e kampionatit, 13 dhe 20 qershor, 16 klube të Serisë A zgjodhën të parën dhe nëse do të vijë miratimi i qeverisë, atëherë gjithçka do të jetë gati për atë datë.
Gjithashtu u miratua edhe kalendari që parashikon ndeshje çdo tre ditë, me ndërprerje vetëm për ndeshjet e Kupës së Italisë, ndërsa mbyllja e sezonit është planifikuar për në datën 2 gusht, kohë kjo e përcaktuar si afat limit nga UEFA.
Vlen të theksohet se në Itali klubet kanë nisur me seancat stërvitore të diferencuara në fushë, ndërsa prej 18 majit do të nisin edhe stërvitjet e plota në grup, ndaj deri më 13 qershor do të jetë një kohë më tepër se një mujore përgatitjesh, që do t’u lejojë lojtarëve të gjejnë formën më të mirë./ Tv Malisheva