Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj nuk ka treguar se kujt do t’i besohen dy ministritë që kjo parti do t’i ketë në Qeverinë Hoti – nëse kjo e fundit votohet.Ai ka thënë se sot do të dihen emrat e ministrave të Nismës, derisa ka shtuar se nuk do të jenë ata që janë aktualisht deputetë.“Është një dakordim që Nisma do të nxjerrë ministra jashtë deputetëve për t’i dhënë mundësi kuadrove tona. Ende nuk i kemi formalizuar emrat”.
“Ajo që dua të them është se kjo situatë na e ka vështirësuar komunikimin. Nesër do të kemi një takim me organet e partisë dhe do t’i formalizojmë. Do të jenë njerëz që kanë aftësi dhe përvojë menaxheriale dhe e dinë përgjegjësinë e drejtimit të një institucioni publik. Jam i bindur që do të jenë profesionistë dhe do t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat që kërkon fryma kolektive e qeverisë”.
Por, a do të jetë djali i tij Durim Limaj një emër i mundshëm për të qenë ministër?“Jo bre, jo”, ka deklaruar shkurtimisht ai për këtë temë, duke lënë të nënkuptohet se ky është vetëm një spekulim.Limaj ka treguar në Rubikon të Klan Kosovës se pse Nisma do të udhëheqë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë.“Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë është një kontinuitet, sepse ne i kemi pasë dhe shkon me programin tonë. Bashkëjetojmë me pjesën sociale dhe besoj që kjo i shkon Nismës Socialdemokrate”.
Sa mund të zgjasë Qeveria Hoti?
“Kjo qeveri nëse nuk punon dhe nëse nuk i bën punët që priten ishalla nuk zgjat dhe sa më shpejt që krijohen kushtet të shkojmë në zgjedhje. Nëse kjo qeveri përvjel mëngët dhe fillon t’i bëjë detyrat dhe prioritetet një nga një i ka krejt mundësitë që ta përfundojë mandatin e rregullt”.
“Mandatari dhe ne të gjithë jemi futur me këtë qëllim – që ta mbyllim mandatin e rregullt. A arrijmë atje ose jo varet nga kryeministri dhe ekipi sa ka gatishmëri, vullnet politik, mbështetje dhe sa bën punë të mira”.I pari i Nismës Socialdemokrate deklaroi se nuk kanë biseduar për çështjen e presidentit, por ka thënë se ai beson se presidenti nuk duhet të votohet drejtpërdrejt nga populli.“Unë personalisht nuk jam ithtar që presidenti të votohet nga populli dhe për këtë duhet debat. Kam disa arsye se pse nuk pajtohem që presidenti të votohet nga populli, sepse jam ithtar i kësaj Republike Parlamentare. Për mua nuk ka logjikë që dy milionë qytetarë të dalin dhe të votojnë për presidentin me këto kompetenca që ka”./ Tv Malisheva