Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë leje për rifillimin e stërvitjeve me 10 maj dhe vazhdimin e kampionatit nga 30 maji.
Ministra e Shëndetësisë e ka aprovuar kërkesën e FFK-së, por kanë kërkuar rekomandime dhe udhëzime nga IKSHP-ja.
Lidhur më këto zhvillime të fundit ka folur edhe kapiteni i FC Dritës, Ardian Limani, i cili në një prononcim për gazetën “Infokusi” ka deklaruar se ky edicion nuk duhet të ketë kampion nëse vetëm vendost për t’u anuluar.
Limani mendon se ka kushte për rifillimin e kampionatit, por thotë se do ta respektojnë vendimin e IKSHP-së.
“Unë mendoj që kemi kushte për ta rifilluar kampionatin, pasi situata është duke u përmirësuar me një ritëm të shpejtë, por nëse IKSHP vendos atëherë neve na mbetet që ta respektojmë vendimin e tyre, mirëpo sipas mendimit tim duhet që të mos nxitojmë, sepse është shumë e lehtë që ti shikojmë edhe shtetet rajonale se në çfarë mënyre kanë vepruar”, deklaroi Limani.
Mbrojtësi i Dritës ka thënë se Kosova është shteti i vetëm në Ballkan që nuk dinë se a do të filloj apo jo kampionati.
“Ne jemi shteti i vetëm ballkanik që nuk kemi një plan për të rifilluar kampionatin, madje nuk e dimë fare nëse do të filloj ose jo”, u shpreh ai.
Për fund kapiteni i Dritës deklaroi se nëse kampionati anulohet, nuk duhet të shpallet kampioni, ndërsa sipas renditjes aktuale skuadrat duhet të shkojnë në garat evropiane.
“E kam thënë edhe me herët që nëse përfundon kampionati këtu, në garat evropiane duhet të kalojnë ekipet sipas renditjes aktuale, mirëpo nuk mendoj që duhet të jepet titull, pasi që gara ka qenë tepër e ngushtë dhe në garë janë 4 skuadra. Megjithatë, çfarëdo që vendosin ata, do ta respektojmë maksimalisht”, përfundoi Limani.