Gjykata e Lartë në Bjello Pole ka liruar nga paraburgimi shtetasin serb, Zhivko Vuksanoviç, 62 vjeç, ekstradimin e të cilit e ka kërkuar Kosova, pasi dyshohet për krime lufte.
Po ashtu, edhe një tjetër i dyshuar, që po kërkohet nga Kosova, është liruar nga autoritetet në Mal të Zi.
Lirimi i Vuksanoviqit nga paraburgimi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.
Vuksanoviq gjendej në paraburgim prej 1 tetorit, në pritje të vendimit për ekstradimin ose jo të tij në Kosovë.
Edhe pse Gjykata e Lartë më 27 tetor vendosi për ekstradimin e Vuksanoviçit në Kosovë, po atë ditë, ish-ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, refuzoi kërkesën për ekstradim.
Gazeta në Podgoricë, Pobjeda, tha se Kovaç e arsyetoi vendimin e tij me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike”, duke argumentuar se ishte shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.
/TV Malisheva