Çmimi i grurit dhe miellit në Kosovë është ulur rreth 25 për qind, mirëpo furrtarët vazhdojnë të mos ulin çmimin e bukës. Furrtarët arsyetohen se i kanë rritur pagat e puntorëve dhe se ka shtrenjëtim të energjisë elektrike, me ç’rast as nuk premtojnë ulje të shpejtë të çmimeve të prodhimeve të tyre. Aktualisht, çmimi për 100 kilogramë miell blihet deri në 44 euro.

Në anën tjetër, qytetarët kërkojnë uljen e çmimit të bukës, të cilët paguajnë 0.50 euro për gjysmë kilogrami bukë. Derisa në disa vende, si në Fushë Kosovë, ky çmim është deri në 0.60 euro.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Muhamet Farizi thotë për KosovaPress se furrtarët duhet t’i ulin çmimet, nëse miellin e marrin me çmim më të ulët.

“Varshmëria e çmimit të miellit varion edhe prej çmimit të grurit dhe gjithashtu buka duhet të varet prej çmimit të miellit, pasi janë të lidhura reciprocikisht. Çmimi i miellit ka rënë prej 20 deri në 25 për qind, varësisht nuk i kanë të njëjta çmimet e miellit, sepse nuk ka marrëveshje mes njërit-tjetrit që të shkojnë çmimet njësoj, por mos të bazoheni në vetëshërbime, bazohuni te çmimi i mullistit. Duhet të bie edhe çmimi i bukës, por nuk presim në vlerë shumë të madhe, mund të bjerë deri në 15 për qind. Por, ata të cilët prodhojnë pjekurina kanë kushte t’i ulin, ndërsa ata që nuk prodhojnë pjekurina bazohen vetëm në bukë dhe e kanë të vështirë. Megjithatë, me fat duhet me qenë shumë populli, sepse ka shumë furrtarë, ka zejtarë të mirë të furrtarëve, por uljen e çmimeve e kanë borxh nëse miellin e marrin me çmim më të ulët”, thotë Farizi.

Megjithatë, edhe pas rënies së çmimit të grurit dhe miellit, furrtarët vazhdojnë t’i mbajnë çmimet e larta.

Pronari i një furre në Prishtinë, Armend Qoqaj thotë se pavarësisht uljes së çmimit të grurit dhe miellit, obligimet janë të mëdha dhe në asnjë formë nuk mund t’i ulin çmimet.

“Nuk ka punëtorë, mungesë ka gjithmonë, rryma shtrenjtë dhe obligimet janë shumë të mëdha. Çmimet po kërkohen të ulen, por nuk mundemi në asnjë formë, sepse tashmë janë rritur edhe pagat e punëtorëve…Absulutisht nuk ia vlen me ul çmimin sepse nuk kemi llogari…Nuk janë çmimet shumë të larta, interesi ynë është shumë i vogël, sa i përket produkteve që shesim, fitimi është gati minimal”, thotë Qoqaj.

Edhe qytetarët mendojnë se çmimi i bukës është i lartë dhe i njëjti duhet të ulet.

“Kish qenë mirë të ulen çmimet, për ata që s’kanë, ndërsa për ata që kanë ndoshta nuk është problem. Nuk është e arsyeshme kur bie çmimi i miellit, duhet të bie edhe i bukës”, shprehet Mehmeti.

“Normal se duhet të bie edhe çmimi i bukës sepse për dikë është një çmim goxha i lartë, kështu duhet të bjerë… Qeveria besoj duhet me ndërmarrë diçka sepse është pak shtrenjtë”, thotë Asllani.

“Këta vështirë është t’i zbresin, duhet qeveria t’i detyrojë t’i zbresë. Mielli është zbritur, le të zbritet edhe çmimi i bukës”, thotë Statovci.

Kryetari i Shoqatës së Mullistëve të Kosovës, Farizi thotë se tashmë gjendja botërore e pordhimtarisë së grurit është stabilizuar dhe se kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të çmimit.

“Sa i përket ecurisë së çmimeve që janë devijuar tre vitet e fundit, kanë qenë si rrjedhojë i dy faktorëve. Një ka qenë pandemia, e cila buroi prej Kinës e që është shteti që në sasi të tërësisë prodhon shumë grurë. Përveç kësaj, kur kemi parasysh shtetet që eksportojnë më shumti janë Rusia, Amerika, gjithashtu edhe Ukraina, dhe kur e dimë se lufta në Ukrainë ka lënë pasoja ku kanë pasë pengesa të mëdha për eksportin e grurit, edhe ajo ka qenë si faktor i shtrenjtimit. Dhe tash pas një stabilizimi të vogël dhe pas angazhimeve të disa shteteve të tjera në nivel botëror ka filluar të rritet prodhimtaria e grurit bazuar në raportet mujore që i përpilon Amerika dhe ajo ka sjell edhe uljen e çmimit të grurit në përgjithësit”, thotë mes tjerash Farizi.

Gjatë vitit të kaluar e deri në prill të vitit 2023, Kosova ka importuar grurë dhe miell në vlerë prej mbi 55 milionë eurosh, ndërsa vlera e eksporteve të këtyre produkteve ka qenë nën 2 milionë euro.

/TV Malisheva

Share.