Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) para deputetëve të Komisionit për Shëndetësi deklaroi se janë duke punuar për përmirësimin e sistemit shëndetësor me të gjithë mundësitë që kanë. Të njëjtit janë kritikuar për mungesë të barnave esenciale në klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale si dhe për lista të gjata të pritjes për shërbimet që ofrohen nga institucionet nën ombrellën e SHSKUK.
Kryesues i bordit të SHSKUK-së, Naim Bardiqi derisa ka prezantuar punën që kanë realizuar për gati tre muaj tha se po mundohen të japin kontribut për përmirësimin e sistemit shëndetësor gjithmonë duke pasur në fokus shërbimet cilësore dhe të sigurta për qytetarët e vendit.
Bardiqi tha se në 12 mbledhjet me bordin që janë mbajtur deri më tani kanë trajtuar tema të caktuara në mënyrë që ne të kenë mundësi të njohin dhe të ofrojnë zgjidhje për problemet që ballafaqohet SHSKUK.
“Po mundohemi të japim një kontribut për përmirësimin e sistemit gjithmonë duke pasur në fokus shërbimet cilësore dhe të sigurta për qytetarët e vendit… Rëndësi të veçantë i kemi kërkuar adresimit të rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të SHSKUK-së për vitin 2022 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, duke kërkuar nga menaxhmenti përgatitjen e fushëveprimit që janë në funksion të rekomandimeve… Për vitin 2023 në organizatën buxhetore në SHSKUK janë buthtuar 139 milionë e 665 mijë euro… Si rrjedhojë kemi për fokus ngritjen e nivelit menaxherial të njësive organizative të SHSKUK-së, ofrimin e kujdesit shëndetësor, cilësor dhe të sigurt, kosto efektive, ngritje e performancës, rritjen e shfrytzueshmerisë së shtretërve, së pajisjeve mjekësore dhe aty ku ka mundësi eliminimin e listave të pritjes”, tha Bardiqi.
Ndërsa drejtori i ri i SHSKUK-së, Elvir Azizi i cili ka tetë ditë që është emëruar në këtë detyrë, ka përmendur disa nga sfidat që ka hasur gjatë këtyre ditëve.
Azizi është zotuar se do të bëjë më të mirën që qytetarët të ndihen të sigurtë në shërbimet që ofron SHSKUK.
“Gjatë kësaj periudhe kohore kam realizuar vizita më shumë për t’u njoftuar me infrastrukturën e komplet shërbimeve. Gjatë kësaj kohe, por edhe më përpara kam vërejtur që njëra prej sfidave më të mëdha është vet funksionimi i SHSKUK-së dhe QKUK-së së bashku, pra drejtori i përgjithshëm njëkohësisht është menaxher edhe i SHSKUK-së dhe i QKUK-së. Sfidat e tjera janë edhe furnizimi i rregullt me barna dhe materiale shpenzuese, mungon dokumentacioni i brendshëm, nuk ka përshkrim të detyrave të punës, nuk ka protokolle klinike, ka mungese të gjithmbarshme të një baze të mirë për sistem të cilësisë. Infrastruktura është vjetruar dhe jemi shumë vonë me digjitalizimin. Do të merrem me disa drejtime, kryesisht në listën e shërbimeve, prioritet është që të themelohet dhe të aprovohet lista e shërbimeve shëndetësore, në listën e shërbimeve shëndetësore ekziston edhe një mungesë e transparencës së cili shërbim duhet të ofrohet e cili jo… Secili spital rajonal mund të referon në QKUK pacientët pa pas rregulla se kur duhet t’i referojë e kur jo. Ngecja në furnizim shkakton ngecje në ofrimin e shërbimeve të sigurta”, tha Azizi.
Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka uruar që drejtori i ri i SHSKUK-së të ketë prioritet punën dhe jo të jetë i lidhur me pushtetin.
Ai u interesua më shumë rreth listave të pritjes që ekzistojnë nëpër klinikat e QKUK-së.
“Janë 30 muaj të kësaj Qeverie dhe është drejtori i katërt i SHSKUK-së… E kemi parë një dëshirë të flaktë të kësaj Qeverie është për një kontroll të plotë dhe kjo u bë me zgjedhjen e një sekretari në krye të bordit… Esenciale është mungesa e barnave dhe kjo është fatkeqësi me fol kur është proklamuar për rritje të buxhetit. Si do ta adresoni sepse mos të ketë antibiotik është papërgjegjësi dhe e dyta është lista e pritjes në të gjitha klinikat. Kur së fundmi është përpiluar lista e pritjes dhe kur do të ketë përditësim të saj dhe çfarë hapa keni me ndërmarr”, pyeti tutje Zemaj.
Bardiqi, duke përmendur edhe arsyet që kanë bërë të shtohen listat e pritjes, tha se kanë kërkuar nga të gjitha klinikat që t’ju dërgohen ato.
“Bordi drejtues i SHSKUK-së-së meqenëse kemi dy muaj e gjysmë kur kemi filluar punën, kemi kërkuar me datën 26 qershor të na dërgohen nga menaxhmenti listat e pritjeve. Në funksion të kësaj kemi identifikuar se listat e pritjes janë për pasojë e mos racionalizimit të stafit. Mirëpo, në këtë drejtim është keqpërdorimi eventual në mungesë të mekanizmave të monitorimit të periudhës kohore të mos prezencës në punë, një mungesë e furnizimit me barna, ose mosmirëmbajtje e mirë e pajisjeve”, tha Bardiqi.
Kryetarja e këtij komisioni parlamentar, Fatmire Kollçaku ka kërkuar që në punë të ketë etikë të veshjes e të sjelljes ndaj pacienteve, sipas saj kjo është duke munguar në spitale.
“Në Pejë ka funksionuar një komision perfekt ku ka qenë një infermiere Fatime Kurmehaj e cila është pensionuar. Mendoj ta thërrisni atë veç të mbaj trajnime në spitale të tjera regjionale, edhe pse është e pensionuar do të shërbejë shumë, sepse në kohën e saj nuk ka pas mundësi një infermiere të vendos unaza, me thonj, aty me dalë nëpër byrektore e qebaptore e të kthehet. Në punë duhet të ketë etikë të veshjes e sjelljes, pacienti nuk e din ku gabuar një mjek të terapia, ai e mban mend sjelljen, e jo sjellje jo njerëzore”, tha Kollçaku.
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka nën ombrellën e saj 37 klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës si dhe shtatë spitale rajonale.
/TV Malisheva