Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci të mërkurën ka pritur në takim drejtorin ekzekutiv të Organizatës Joqeveritare “Peer Educators Network-PEN”, Bujar Fezjullahu ku edhe ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për rregullimin e këndit të lodrave për fëmijë në Parkun e qytetit.
Në këtë takim ishin prezent edhe nënkryetari i Komunës, Nazmi Hasi, drejtoresha e Planifikimit Urban dhe Mbrojte të Mjedisit, Flutura Avdiu dhe kryetarja e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Drenas, Donika Zogu.
Siç u bë e ditur në njoftim, qëllimi i nënshkrimit të këtij Memorandumi, është që të sigurohet një kënd i lodrave për fëmijët e qytetit të Drenasit i cili deri më tani nuk ka qenë në funksion. Realizimi i këtij projekti do të bëhet nga Komuna e Drenasit në bashkëfinancim me OJQ “PEN” dhe Këshillin e Veprimit Rinor Lokal në Drenas (KVRL).
Në kuadër të këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, do të bëhet pastrimi i terrenit, vendosja e zhavorit, rifunksionalizimi i pajisjeve ekzistuese të lodrave, rregullimi i pushimoreve (ulëseve), rregullimi i infrastrukturës për hedhjen e mbeturinave, shtimi i hapësirave të gjelbra, mbjellja e fidanëve dhe bimë të tjera drunore dekorative.