Pavarësisht se tifo grupi “Forca” kishte paralajmëruar udhëtim masiv drejt “Zahir Pajzitit” të Podujevës për ta ndjekur ndeshjen e javës së parë kampionale 2019/20 ndërmjet Llapit dhe Vushtrrisë kjo gjë nuk do ju mundësohet.

Tifo grupi vushtrrias ka marrë përgjigje negative nga klubi llapjan sa i përket udhëtimit, pasi që tribunat në këtë impiant janë në ndërtim e sipër dhe rrjedhimisht nuk do të ketë vend për ta.

Vend nuk do të ketë as për tifozët llapjan, pasi që të gjitha tribunat do të mbyllen për shkak të vendosjes së karrigeve, përveçse njërës tribunë prapa portave, e cila nuk zë më shumë se 500 shikues.

Lajmin për Gazetën Sheshi e ka konfirmuar edhe zyrtari i klubit llapjan Muhamet Rexhepi, i cili theksoi se për shkak të punimeve në tribuna nuk do të ketë vend për shumë prej tifozëve.

“Stadiumi është në fazën finale të investimeve nga Ministria e Kulturës, Komuna e Podujevës dhe FFK-ja, andaj kemi marrë shkresë për ti izoluar tribunat e tjera për shkak të vendosjes së karrigeve. Vetëm tribuna prapa portave do të jetë e hapur për tifozët. Është e kuptueshme që nuk ka kushte sigurie edhe për tifozët mysafir pasi që e kemi vetëm një tribunë e cila nuk ka kapacitet të madh dhe nuk munden dy grupe të tifozërive të vendosen aty”, deklaroi Rexhepi.

Kujtojmë që Llapi dhe Vushtrria takohen të shtunën në kuadër të javës së parë të Superligës me fillim nga ora 17:00.

Share.