Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se vendi ynë ka nevojë për zëvendësim të kapaciteteve energjetike.

Ai ka thënë se dështimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të ketë pasoja të mëdha për vendin.

“Dështimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’ do të ketë pasoja të mëdha. Ne jemi dëshmitar që bizneset kanë humbje të mëdha për shkak të energjisë jostabile, qytetarët kanë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe kjo ndodhë për shkak të paparashikueshmërisë së energjisë elektrike nga termocentralet aktuale. Pra, ne kemi nevojë për zëvendësim të kapaciteteve energjetike në vend, pra mbylljen e Termocentralit ‘Kosova A’ dhe aktivizimin me kapacitete të reja që janë më fleksibile dhe shumë më ekonomike dhe efecientë.”

“Termocentrali ‘Kosova e Re’ i harxhon 1 ton thëngjill për një megavat prodhim, kurse ‘Kosova A’ rreth 1.8 ton. Nga kjo mund të kuptohet se sa mund të ketë kursime sa i përket konsumit të thëngjillit. Mendoj se termocentrali ‘Kosova e Re’ duhet të vazhdojë. Nuk do të ishte problem numri i votave për ta kaluar në Kuvend, pavarësisht situatës aktuale politike”, ka thënë Lluka në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”.

Ai ka mohuar laramanin e shifrave të dhëna nga shoqëria civile për ngritje të çmimit të energjisë në lidhje me ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Megjithatë, ai ka thënë se çdo investim në sektorin energjetik reflekton edhe në tarifa.

“Mos harroni sot kur po flasim për ndikimin në tarifa të energjisë elektrike, kemi parashikime të ndryshme nga shoqëria civile. Fillimisht kishim një të dhënë për rritje çmimi 44 për qind, mandej 60 për qind dhe deri tash së fundi në 90 për qind. Pra, as vet shoqëria civile nuk ka ndonjë të dhënë të saktë. Të gjitha këto janë spekulime në bazë të disa kritereve që ende nuk dihen. Për t’u kuptuar saktë rritja e tarifave të energjisë elektrike ne duhet të dimë saktë koston e ndërtimit të termocentralit si dhe koston e financimit”.

“Tek pastaj ato hyjnë në modelin financiar dhe kuptohet se sa do të jetë kosto e prodhimit të energjisë elektrike për megavat. Në momentin që paketa e garancive dërgohet në parlament, deputetët do të dinë saktë ndikimin në tarifa para se të vendosin. Natyrisht se çdo investim në sektorin energjetik reflekton edhe në tarifa. Edhe energjia e ripërtritshme, turbinat me erë, panelet solare, investimet në transmision, rrjetë, dhe çfarëdo tjetër reflekton në tarifa të energjisë elektrike. Si rrjedhojë, edhe investimi në Termocentralin ‘Kosova e Re’ do të reflektojë dhe ndikojë në tarifa”, ka thënë Lluka, duke shtruar se rritja e tarifave nuk do të jetë ashtu siç po pretendohet nga shoqëria civile.

“Në fund të fundit është e rëndësishme që qytetarët dhe bizneset do të kenë furnizim stabil dhe kualitativ të energjisë elektrike. Kjo pastaj do të ketë ndikim të drejtpërdrejt edhe në rritjen ekonomike. Pa energji stabile nuk mund të ketë as investitor serioz në vend”, ka theksuar Lluka.

Share.