Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka zhvilluar takimin e parë me kompaninë “Detecon International GmbH” dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) lidhur me privatizimin e Telekomit të Kosovës.

Lluka ka thënë se BERZH-i, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës, ka financuar në formë të grantit dhe ka përzgjedhur kompaninë “Detecon”, degë e kompanisë “Deutsche Telekom”, për të përgatitur Telekomin e Kosovës për privatizim, projekt ky që do të zgjasë rreth 5 muaj.

“Ekipi nga Detecon qëndruan në Kosovë ku u takuan me akterët kryesorë që prekin këtë ndërmarrje të rëndësishme për ekonominë e vendit. Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizojë pjesën vendimmarrëse të telekomit, pra rreth 51%, duke qëndruar aksionare për pjesën tjetër dhe kështu, duke përmirësuar kualitetin e operimit, zvogëluar humbjet dhe rritur efikasitetin e Telekomit”, ka thënë Lluka.

Në këtë takim, ministri në dorëheqje tha të kenë diskutuar për hapat e ardhshëm, planin e projektit dhe vendet potenciale që kanë pasur privatizim të suksesshëm e që duhen të krahasohen me ne. /Koha.net/

Share.