Një vështrim i shkurtër historik nga Drejtori i trashëgimisë Paulin Zefi.
“Lufta Arbëro-Turke (1370-1571)”, një ndër luftërat më të gjata në historinë botërore!
Për herë të parë, Arbëria u përgjak nga turqit selxhukë në vitin 1336 kur ata erdhën si forca mercenare të perandorit bizantin, Andronikut III Paleologu, për të shtypur kryengritësit arbër. Ndërsa ushtritë e para të turqve osmanë që shkelën vendin tonë, ishin ata që sulmuan Kosovën në vitin 1370, duke vijuar më vonë me repartet ndihmëse të jeniçerëve me të cilët princi serb, Marko Kraljeviç, sulmoi më 1375 qytetin e Kosturit, që asokohe e zotëronte Andrea Muzaka, por që vetëm falë ndërhyrjes ushtarake të princit të fuqishëm arbër, Gjergji I Balsha, rrethimi u ça dhe ushtria serbo-turke pësoi disfatë.
Burimet lindore flasin për një fushatë osmane të zhvilluar në Arbëri po në vitin 1375, fushatë në të cilën kishte një tepricë aq të madhe skllevërish saqë, mbi plaçkën e tyre të rregullt, sulltani i dhuroi çdo ushtari turk një skllav arbër, pasi ai vetë kishte marrë një të pestën, siç urdhërohej nga Kurani dhe në imitim të profetit Muhamet. Ndërsa inkursioni i parë i madh osman, që depërtoi në thellësi të vendit tonë ishte ai i zhvilluar në Jug të Arbërisë në vitin 1380. Kjo ushtri osmane, e cila robëroi zotërimet e Gjin Zenebishit dhe Çamërinë, komandohej nga Isaimi i njohur si Shahin Beu ose Lala Shahini, që ishte thirrur për të shtypur arbërit nga despoti serb i Janinës, Thoma Preljuboviç, i njohur me pseudonimin famëkeq “Αλβανοκτόνος (Shqiptarovrasësi)”.
Pushtmi osman i Arbërisë, në ndryshim nga pushtimi i shumë vendeve të tjera, nuk u realizua pas një fushate të vetme ushtarake, por ishte një proces i tejzgjatur në kohë, i cili siç u tha më lart, nisi në vitin 1370 dhe u mbyll vetëm në vitin 1571 me pushtimin e Ulqinit dhe Tivarit. Pra, fuqisë më të madhe ushtarake të kohës iu deshën plot 201 vite luftë e stërmundimshme për të nënshtruar Arbërinë, çka e bën Luftën Arbëro-Turke një ndër konfliktet ushtarakë më të gjatë dhe më të përgjakshëm në historinë botërore. Nga ana tjetër, duhet nënvizuar fakti se në kohën kur Europa doli nga Mesjeta dhe hyri në epokën e lulëzuar të Rilindjes, Arbëria u zhduk nga harta e shteteve të lira dhe u fundos nën zgjedhën e pamëshirshme të një fuqie barbare si Perandoria Osmane . Andej nga fundi i shek. XV, Arbëria e Mesme dhe ajo Veriore qenë shkretuar aq shumë nga dekada mësymjesh osmane e fushatash të mëdha sulltanore, saqë “Kultura e saj e lulëzuar katolike” e humbi bazën e vet qytetëse dhe u prapësua ndër male. Tregtia kaloi në stanjacion, qytetërimi u asgjësua dhe çdo lloj komunikimi me botën e jashtme u ndërpre. Me mijëra banorë të fushave u detyruan të kërkojnë strehë në malësitë e Veriut dhe kështu lindi një ekonomi blegtorale dhe një sistem i ri fisnor.
Kështjellat dhe qytetet, që kishin lulëzuar në epokën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut me pallate dhe monumente të shumta, si: Petrela, Petralba, Stellushi, Sfetigradi, Tornaçi, Sarda, Drishti, Danja dhe Ulpiana, u zhdukën krejt . Ndërsa qytetet e tjera, si: Kruja, Durrësi, Shkodra, Lezha, Vlora, Kanina, Berati dhe Gjirokastra e humbën rëndësinë e mëparshme dhe mbetën si hije të madhështisë së tyre të dikurshme . Po ashtu, vihet rè se pushtimi osman preku kryesisht popullatën që jetonte në zotërimet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe në viset e kontrolluara prej Republikës Veneciane, teksa Jugu u kursye prej shkatërrimit dhe për këtë arsye ndarja strukturore midis Veriut dhe Jugut të Arbërisë gjatë sundimit osman të vendit tonë do të kishte pasoja më afatgjata në shekujt në vijim.
Për ta hedhur Arbërinë në këtë greminë, duke e shkëputur atë një herë e mirë nga “Respublica Christiana”, Perandorisë Osmane, siç u tha më lart, iu deshën plot 2 shekuj luftë e përgjakshme, ku në krye të fushatave të mëdha pushtuese apo atyre ndëshkimore u vendosën edhe vetë sulltanët, duke nisur nga Murati I, Mehmeti I, Murati II, Mehmeti II dhe deri te Bajaziti II dhe Sulejmani I ose Sulejmani i Madhërishëm. I pari, sulltan Murati I, e pagoi shkeljen e truallit arbër me jetën e vet, sepse u vra gjatë ose pas betejës së parë të Fushë-Kosovës (15/28 qershor 1389) prej bujarit arbër nga Drenica, Millosh Kobiliq/Kopiliqi/Obilić . Murati II dhe Mehmeti II, gjatë fushatave perandorake të zhvilluara në Arbëri kundër Gjergj Kastriotit-Skënderbeut më 1448, 1450, 1466 dhe 1467, shpesh herë nga rrethues, u kthyen në të rrethuar. Ndërsa, sulltan Bajaziti II në vitin 1492, në Tepelenë , dhe sulltan Sulejmani I më 1537, në Himarë, ranë pre e atentateve të ndërmarra nga luftëtarët arbër dhe i shpëtuan vdekjes vetëm për një fije peri. Pavarësisht të gjithë këtyre përpjekjeve titanike të monarkëve osmanë për ta nënshtruar Arbërinë me çdo kusht, ata kurrsesi nuk mundën të realizojnë pushtimin e saj të plotë, sepse disa rajone malore dhe të populluara nga njerëz shumë luftarakë e të mirëorganizuar, si: Mirdita, Malësia e Madhe, Dukagjini, Nikaj-Mërturi, Himara dhe Suli, arritën ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe të vetëqeverisen sipas normave të veta zakonore.
Këtë fakt, përpos vetë burimeve osmane, e pohojnë në mënyrë të njëzëshme edhe shumë historianë perëndimorë, sipas të cilëve: kontrolli osman mbi malet e “Land of eagles (Vendit të shqiponjave)” do të mbetej indirekt dhe relativisht i lehtë . Po ashtu, edhe për ta mbajtur vendin tonë nën zgjedhën e robërisë deri në vitin 1912, Perandorisë Osmane iu desh të përballej me plot 65 kryengritje, shumica prej tyre lokale, por ata që morën përpjestime më të mëdha, rrezikuan ta çojnë këtë perandori të fuqishme deri në zgrip të rrokullimës. Midis viteve 1370-1571, kur Arbëria u përgjak vazhdimisht nga inkursionet dhe fushatat e panumërta të turqve osmanë, epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1443-1468) shënon fazën kulmore, më të përgjakshme, më dramatike dhe më të lavdishme të kësaj lufte të gjatë dhe heroike për liri dhe pavarësi.
Heroi jonë Kombëtar dhe Mbrojtësi i pathyeshëm i Qytetërimit Perëndimor, arriti t’i përballojë dhe t’i shpartallojë njëra pas tjetrës të gjitha ushtritë turke të dërguara kundër tij apo të komanduara personalisht nga dy sulltanët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, Murati II Kodja dhe sidomos Mehmeti II Fatih, në një kohë kur këto ushtri me përmasa të hatashme ishin në gjendje të gllabëronin të gjithë Italinë dhe shumë pjesë të tjera të kontinentit Europian. Vetëm falë tij, Perandoria Osmane ndeshi në Arbëri kufirin “nec plus ultra” përtej të cilit nuk mundi të shtrihej më tej drejt Perëndimit.
/TV Malisheva