Guvernatori i rajonit Luhansk të Ukrainës ka paralajmëruar se trupat ruse kanë hyrë në qytetin strategjik të rëndësishëm Severodonetsk, ndërsa luftimet intensive vazhdojnë në lindje të vendit.
Serhiy Haidai tha se forcat ruse po i afrohen qendrës së qytetit – më i madhi dhe më lindor prej atyre që janë ende nën kontrollin e Ukrainës – pasi pothuajse e rrethuan atë.
Ai shtoi se beteja për Severodonetsk është tepër intensive – me bombardimet aq të egra që zyrtarët kanë hequr dorë nga numërimi i viktimave.
Mes të vrarëve sot ishte një gazetar francez që punonte për BFM TV. Frédéric Leclerc-Imhoff ishte me një kolonë zyrtare evakuimi kur automjeti i tij u godit.
Kjo vjen pasi Ukraina vazhdon thirrjet e saj për sisteme të fuqishme raketash që janë në gjendje të godasin shumë më larg se artileria tradicionale që ata po përdorin aktualisht.
Yuri Sak, këshilltar i ministrit të Mbrojtjes të Ukrainës, thotë se ata mund të kthejnë valën e luftës.
“Për t’i çliruar territoret tona dhe të dëbojmë armikun, nevoja më urgjente për momentin janë sisteme raketash me shumë lëshime, sepse ato kanë një rreze zjarri më të madhe se ajo që kemi. Kjo me të vërtetë do të ishte një ndryshim i lojës,” tha ai, raporton BBC.
Por duket se mund të ketë disa kufizime, pasi presidenti Joe Biden tha sot se SHBA nuk do të ofronte sisteme që mund të përdoren për të sulmuar vetë Rusinë – nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.
Ndërsa profesori Michael Clarke pranë Departamentit të Studimeve të Luftës në Kolegjin Mbretëror në Londër thotë se nuk ka asnjë shenjë se i luftës në Ukrainë po i vjen fundi i menjëhershëm.
“Ukrainasit kanë treguar se mund të luftojnë. Rusët në fakt nuk mund të bëjnë ndonjë përparim të madh. Ukrainasit për momentin nuk mund t’i dëbojnë rusët. Ajo që ne po shikojmë është perspektiva e një lufte statike, në të cilën të dyja palët bëjnë përfitime të vogla, por asgjë vendimtare,” tha ai.