Më 25 janar 1898, luftanija amerikane U.S.S. Maine, hyri në portin e Havanës në Kubë. Ajo që ndodhi me të, do të ndizte shkëndijën e luftës ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës. Misioni i anijes ishte të mbronte qytetarët amerikanë dhe pronat e tyre në Havanë, kundër dhunës së mundshme gjatë kryengritjes kubane kundër Spanjës.
Më 15 shkurt, tri javë pas ankorimit të luftanijes, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm dhe e zjarrit që pasoi, anija Maine u fundos dhe humbën jetën 266 amerikanë. Gazetat amerikane fajësuan për këtë Spanjën dhe nxitën opinionin publik kundër spanjollëve me thirrjen ‘Kujtoni anijen Maine’.
Në fakt, askush nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë se kush ishte përgjegjës për shpërthimin. Jo më vonë se dy muaj pas fundosjes së luftanijes Maine në portin e Havanës, Shtetet e Bashkuara dhe Spanja hyrën në një luftë që zgjati më pak se 4 muaj.
Fuqia ushtarako-detare e SHBA-së luajti rol të rëndësishëm në fitoren amerikane. Si pjesë e marrëveshjes së paqes në përfundim të luftës, Spanja hoqi dorë nga kontrolli mbi Kubën. Më 25 janar 1961, miliona amerikanë panë transmetimin e parë të drejtpërdrejtë televiziv të një konference presidenciale shtypi. Presidenti John Kennedy që kishte filluar nga detyra 5 ditë më parë, iu përgjigj pyetjeve të reporterëve për rreth 35 minuta.
Kjo ishte e para e shumë konferencave shtypi, të transmetuara drejtpërdrejt nga televizioni, që presidenti Kennedy mbajti gjatë më pak se tre vjetëve në detyrë. Zoti Kennedy, i cili ishte 43-vjeç kur bëri betimin si president i vendit, ishte i qetë, plot besim në vetvete dhe mendjemprehtë në konferencat e drejtpërdrejta televizive të shtypit.
Ndihmësit e tij i shihnin këto konferenca shtypi si një mjet për të bërë të njohur popullin amerikan me cilësitë dhe aftësitë komunikuese të presidentit Kennedy. Transmetimet e këtij lloji në fakt e shtuan popullaritetin e presidentit amerikan.