Luftime të ashpra janë raportuar përreth qytetit lindor ukrainas, Piski, që gjendet rreth 10 kilometra në veriperëndim të qytetit të Donjeckut.
“Situata është e rëndë në Piski”, shkroi në Telegram, Danil Bezsonov, anëtar i grupit separatist të mbështetur nga Rusia, që quhet Republika Popullore e Donjeckut.
“Qyteti është i yni, por ka disa zona ku po bëhet rezistencë në veri dhe perëndim” të qytetit, tha ai më 11 gusht.
Por, zyrtarët ukrainas thanë se trupat e tyre ende e kanë nën kontroll qytetin. Këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych, gjatë një interviste televizive tha se forcat ruse kanë tentuar që të hyjnë në qytetin Piski, “por, pa sukses”.
As pretendimet ruse e as ato ukrainase nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Rusët përqendrojnë ofensivën në jug, ukrainasit në verilindje
Pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014, Moska ka nxitur lëvizje separatiste në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen edhe me termin Donbas.
Guvernatori i mbështetur nga Kievi në rajonin e Luhanskut, Serhiy Hayday, gjatë një interviste dhënë më 10 gusht tha se Rusia ka përforcuar forcat e saj në këtë zonë, përfshirë edhe dërgimin e një numri të madh të mercenarëve nga grupi Vagner. Ky grup është një kompani private e sigurisë, që ka lidhje të ngushta me Kremlinin.
Raportohet për 13 civilë të vrarë nga granatimet ruse në Ukrainë
Luftimet e ashpra në afërsi të Donjeckut vijnë një ditë pas granatimeve të ashpra në rajonin e Dinipropetrovskit, që gjendet afër centralit bërthamor të Zaporizhjas. Ukraina akuzoi Rusinë se ka goditur zona të banuara dhe raportoi për viktima në mesin e civilëve.
Që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit, Rusia ka mohuar se shënjestron civilët.
/TV Malisheva