Shkruan: Uran Krasniqi

I lumtur që e shoh të lindur “Lule mes ndërtimesh të egra”, fëmijën tim të parë letrar të bërë me shumë dashuri.

- Reklamë e sponsoriuzar -

Për bashkëpunimin gjatë botimit të librit i falenderoj: redaktorin Halil Matoshi, një stilist i madh i shkrimit që më ka pëlqyer prej kur lexoj gazeta si i vogël e që kur u njohëm gjeta tek ai një njeri të thjeshtë e të shoqërueshëm; lektoren Lindita Dinosha, një profesioniste e mirë dhe një vajzë me edukatë të rrallë për botën e sotme dhe për mënyrat e formimit të njerëzve; botuesin Berat Dakaj, një njohës i Letërsisë dhe një person korrekt.

Libri im i parë do të mund të botohej shumë më herët, edhe atëherë kur isha vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç, sepse të jetuarit (në Kosovë) më ka bërë herët me barrë dhe shpesh, por kam abortuar po aq shpesh. S’doja që një ditë të mos i pranoja si të miat krijimet që ishin të miat. Doja që letërsi të botoja pas moshës tridhjetë vjeçare. Duke qenë gazetar, libër me intervista, libër me procesverbale të gjykatave, ndonjë biografi të ndokujt, kam mundur ta bëj dhe ta botoj, por s’kam dashur. Nuk më pëlqente të përshkruaja atë që ekzistonte, doja të ndërtoja vetë diçka nga asgjëja. Mbase libra me natyrë të tillë mund të botoj në të ardhmen.

Libri “Lule mes ndërtimesh të egra”, është i përbërë nga dy cikle me nga pesëdhjetë poezi, që do të thotë i ka gjithsejt njëqind poezi. Për vlerën e krijimtarisë sime s’më takon të flasë mua, le ta vlerësojnë ata që do ta lexojnë. Di vetëm një gjë; janë krijimet e mia, të cilat reflektojnë veç ndjenjen dhe mendjen time.

Kisha shumë ide se si ta shkruaj dedikimin për librin, do të mund ta bëja shumë më tërheqës sa që ndoshta edhe të provokoja ndonjë reagim, por u përcaktova që librin t’ua dedikoj prindërve të mi, sepse dedikimi për prindërit është nga të paktët shabllone që asnjëherë nuk e humbë vlerën. Prindërit janë ata që gëzohen çdo herë sinqerisht për suksesin e fëmijës së tyre.

Do të isha i padrejtë nëse nuk do të shprehja mirënjohje për bashkëvendasin tim Muhamet Bytyqin, -një djalë i moshës sime që dikur si student e kemi ndarë një euro në dy vende – i cili ka besuar në ngritjen time edhe atëherë kur më ka parë përtoke, i cili më ka nxitur vazhdimisht të botoj, i cili ka trokitur në dyer institucionesh për ta mbështetur si projekt pa ia kërkuar unë dhe pa ia miratuar unë.

Nuk kam synime biznesi e përfitimi financiar për t’i realizuar përmes këtij libri, sepse e di që nuk ka mbetur që njerëzit të bëhen të mençur pasi ta lexojnë këtë libër.

Libri im i parë assesi s’do të jetë i fundit. Kam plot ide dhe kam shumë dëshirë që të shkruaj prapë dhe jo vetëm poezi. See Less

Share.

Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home/beklpuib/public_html/wp-includes/functions.php on line 5107