Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.

“Kam vendosur të hedh një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD-së”, u shpreh Basha.

Sipas statutit, drejtimin e merr një nga nënkryetarët e partisë të cilët janë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj.

Basha tha se do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së, i angazhuar për të ardhmen e partisë.

“Kjo nuk është një tërheqje, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes ta bëjmë të gjithë bashkë”, tha Basha.

Vendimi u mor gjatë një mbledhje të Kryesisë së PD-së, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të kryetarëve të PD-së.

Vendimi i Bashës vjen pas rezultatit në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD doli e treta në 5 nga 6 bashki.

Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, disa nga personalitetet më të rëndësishme të PD-së që e përkrahnin Bashën si Grida Duma, Ervin Salianji, Agron Gjekmarkaj dhe Enkelejd Alibeaj kërkuan dorëheqjen e tij.

Përgjigja e Bashës ishte se do të merrej vendimi më i mirë për të ardhmen e PD-së, dhe se qëllimi është bashkimi i kësaj partie.

Partia Demokratike u nda në dy “pole”, ku një pjesë mbështesnin Berishën e një pjesë Bashën. Por rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit e luhati mbështetjen ndaj Bashës./EA

/TV Malisheva

Share.