Lëvizja Vetëvendosje insiston në miratimin e Projektligjit që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, pa përfshirjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në partinë në pushtet zotohen se pensionet për veteranët do të jenë të dinjitetshme, pasi të bëhet kategorizimi i tyre dhe të ketë një trajtim përmbajtjesor të reformave pensionale.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë se protesta e veteranëve të UÇK-së ishte formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë, mirëpo në vitin 2016 është bërë shkëputja e rritjes së pagës minimale me pensionin e veteranëve.

Kusari-Lila: Protesta është formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë

“Protesta është formë demokratike e shprehjes së pakënaqësisë, ne jemi të vetëdijshëm se akullimi i pakënaqësive ndër vite në shumë kategori ka sjellë që tashmë të kemi formë të shprehjes së kësaj pakënaqësie përmes protestës. Por një element që është abuzuar në mënyrën si është informuar, Projektligji për pagën minimale dhe ndërlidhja me një pagesë që bënë pjesë në skemën pensionale, siç është pensioni i veteranëve. Më 29 dhjetor të vitit 2016 është ndarë paga minimale me pensionin e veteranëve”, thotë ajo.

Pavarësisht kësaj, ajo thotë se pensioni prej 170 eurove për veteranët nuk është i dinjitetshëm, por shton se Projektligji për pagën minimale po keqinterpretohet qëllimshëm nga opozita.

Kusari-Lila: Do të ketë një trajtim përmbajtjesor për pensionet e veteranëve

“Pagesa prej 170 eurosh nuk është e dinjitetshme për veteranin, apo këdo në Kosovë. Kjo është arsyeja që të ketë një trajtim përmbajtjesor, të përgjithshëm dhe natyrisht duke përfshirë edhe kategorizimet e mirëfillta, në mënyrë që t’i kthehet dinjiteti (veteranëve). Por në formën dhe mënyrën si u prezantua në opinionin publik, në veçanti nga përfaqësuesit e partive opozitare, është tërësisht një keqinterpretim mbi atë çka u synua të votohet”, thotë Kusari-Lila

Shefja e deputetëve të pushtetit, kritikon PDK-në dhe LDK-në, që sipas saj, pamundësuan reformën e skemave pensionale.

Kusari-Lila: Opozita pamundësoi reformën e skemave pensionale

“Kemi pasur projektin e Bankës Botërore për reformën e skemës pensionale që nuk është mbështetur nga opozita. Në fakt, dy herë, si asnjëherë më parë, është rrëzuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk e tregon konsistencën e opozitës, por tregon se në këto kërkesa përveç zhurmës nuk e kanë një qëllim i cili synon suksesin. Duhet të jemi të përqendruar në hapat që po synojmë t’i arrijmë bashkërisht për të përmirësuar jetën e të tjerëve. Votimi i kredisë së butë, projektit nga Banka Botërore për reformën e skemës pensionale është hapi për t’i trajtuar këto probleme”, thotë ajo.

Ndërkohë, thekson se projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale midis dy leximeve ka mundësi trajtohet.

Kusari-Lila: Projektligji për pagën minimale midis dy leximeve ka mundësi të trajtimit

“Gjithmonë është praktikë e Kuvendit që në momentin prej Qeverisë, Projektligji i dorëzohet Kuvendit, midis dy leximeve ka mundësi të trajtimit. Megjithatë, nuk kishte as hapësirë dhe nevojë se si u prezantua që të ketë debat më tutje dhe të trajtohet. Në rrethanat e tilla pamundësohet diskutimi dhe trajtimi i çështjeve në mënyrë thelbësore, siç e meriton edhe skema pensionale dhe reforma e mëtutjeshëm”, shton Kusari-Lila.

Projektligji për pagën minimale dështoi të miratohet të hënën në Kuvend, për shkak të mungesës së kuorumit. Gjatë seancës plenare, veteranët e luftës protestuan para objektit të legjislativit për të kundërshtuar largimin e tyre nga rritja e pagës minimale./TV Malisheva

Share.