Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e konsideroi efikase punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror, përkundër siç thanë ata, përpjekjeve të opozitës për ta penguar punën e legjislativit.

Deputetë të mazhorancës, në konferencë për media, thanë se Kuvendi gjatë këtij gjysmë viti ka miratuar 44 ligje, ndërsa janë në procedurë të shqyrtimit edhe 47 projektligje të tjera.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se projektligjet e miratuara synojnë reformën në drejtësi dhe ekonomi.

“Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore ka miratuar 44 ligje, nga të cilat 33 janë projektligje të shqyrtuar në dy leximet, ndërsa 11 janë marrëveshje ndërkombëtare. Gjithashtu ka edhe projektligje që janë në procedurë në shqyrtim apo janë miratuar në lexim të parë. Në total numri i tyre është 47 nga të cilat 21 janë shqyrtuar dhe miratuar në lexim të parë, ndërsa 26 prej tyre iu janë shpërndarë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në kuadër të fushave që ne kemi parë ndikimin e drejtpërdrejtë të projektligjeve apo angazhimit të përbashkët me qeverinë, projektligjet synojnë reformën në drejtësi, reformën në ekonomi, agjendën evropiane dhe gjithashtu marrëveshjet ndërkombëtare”, tha ajo.

Lidhur me mungesën e vazhdueshme të kuorumit në Kuvend, ajo ia adresoi një pjesë të përgjegjësisë edhe opozitës.

Kusari-Lila tha se opozita përkundër që është në sallë nuk merr pjesë në votim, sipas saj, duke treguar papërgjegjësinë e tyre.

Ajo përmendi edhe dërgimin e shumë ligjeve në Gjykatën Kushtetuese, ku tha se opozita këtë institucion po e përdorë si mekanizëm të saj.

“Opozita përkundër që ka qenë prezentë në sallë nuk ka marrë pjesë në votim. Është një veprim opozitar i cili dëshiron vetëm të tregoj çdo gjë tjetër përveç përgjegjësisë së tyre për projektligje. Në situata shumë të shpeshta nuk ka fare pjesëmarrje në votim, prandaj kjo ka sjell që e gjitha puna në Kuvend të mbet përgjegjësi tërësisht e pozitës….Opozita ka zgjedhur që Gjykatën Kushtetuese ta përdorë si mekanizëm të opozitës, jo si një institucion në të cilin verifikohet kushtetutshmëria dhe ka pasur një dinamikë tjetër. Tash çdo gjë që tani nuk mund ta ndal në Kuvend e përdorë Gjykatën Kushtetuese. Duke ditur numrin e madh të lëndëve që janë bërë atje tash po e shohim një ngecje, përfshirë disa projektligje tepër të rëndësishme që janë miratuar në dy leximet, por ende nuk janë në zbatim”, shtoi ajo.

Krahas kësaj, deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, tha se për miratimin e Kodit Civil duhet angazhim pozitë-opozitë, pasi siç tha ai është një dokument që është punuar që gjashtë vjet.

“Kodi civil është një dokument që është punuar gjatë në Kosovë, së paku se gjashtë vjetët e fundit. Kjo duhet të jetë një angazhim dhe përgjegjësi e të gjithë spektrit politik, pozitë dhe opozitë. Në cilësi të kryetarit të Komisionit për legjislacion ne do të bëjmë punën dhe ky do dokument do të jetë në Kuvend, por s’ka ndonjë afat apo ndonjë plan të domosdoshëm të përcaktuar qartë”, tha ai pasi u pyet nga gazetarët.

Në anën tjetër, pasi u pyet nga gazetarët, Kusari-Lila foli edhe për çështjen e Klan Kosovës.

Ajo tha se duhet të zbardhen të gjitha faktet sa i përket pezullimit të licencës së Klan Kosovës, pasi sipas saj janë evidentuar shkelje të rënda.

“Në situatën aktuale është shumë e dobishme për të gjithë në Kosovë edhe për gazetarët e opinionin publik dhe përfaqësuesit e partive politike zbardhja e të gjitha fakteve. Është shumë e rëndësishme të dihet pse shtetas të Republikës së Kosovës me shtetësi të Kosovës të lindur në Kosovë nisen për në Serbi, marrin shtetësinë e Serbisë, regjistrojnë biznes atje për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, pastaj për të ardhur në Kosovë për t’u angazhuar në blerjen e një mediumi. Një ngarendje e tillë në vendet e rajonit për të ardhur për biznes në Kosovë duhet të zbardhur”, shtoi ajo.

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar sesionin pranveror më 28 korrik, ndërsa pritet të nis punën në javën e dytë të muajit shtator.

/TV Malisheva

Share.