Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të enjten se përdorimi i fjalës “gjenocid” në lidhje me veprimet e Rusisë në Ukrainë do të përbënte një përshkallëzim verbal që do të komplikonte përpjekjet e tij për të sjellë paqen në Ukrainë.

“Fjalët kanë një kuptim dhe është e nevojshme të jemi të kujdesshëm, sepse roli im është të ndihmoj në vendosjen e paqes ose të paktën ta ndaloj këtë luftë”, tha Macron në një intervistë për radion France Bleu, duke shtuar se ai dëshironte të shmangte përshkallëzimin verbal.

Kremlini tha të mërkurën se nuk pajtohej kategorikisht me përshkrimin e presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për veprimet e Rusisë në Ukrainë si “gjenocid”.

Biden i ka konsideruar veprimet e Rusisë në Ukrainë si “gjenocid”, përgjatë një fjalimi që ka mbajtur në Ajoa më 12 prill, duke thënë se buxheti i familjeve amerikane ose mundësitë e tyre për të blerë benzinë nuk duhet të varen nga fakti “nëse një diktator shpall luftë dhe kryen gjenocid gjysmë bote larg”.

Ai më vonë ka përsëritur qëndrimin e tij, duke iu thënë gazetarëve se e ka quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë si gjenocid “sepse është bërë secilën herë e më qartë se Putini është duke synuar që të zhdukë idenë që dikush të jetë ukrainas dhe të dhënat po shtohen”.

Së fundi, imazhet nga Buça, qytezë në verilindje të Kievit shkaktuan reagim botëror.

Zyrtarët lokalë thanë që më shumë se 300 njerëz janë vrarë nga forcat ruse vetëm në Buça dhe rreth 50 prej tyre janë ekzekutuar.

Lufta në Ukrainë nisi me një sulm nga Rusia më 24 shkurt. Pas këtij sulmi, Rusia u përball me sanksione të ashpra nga Perëndimi.

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar mijëra të vdekur dhe miliona refugjatë.

/TV Malisheva

Share.