Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ia ka bërë të ditur kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti se Franca mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën në dialog.

Hoti përmes rrjeteve sociale, po ashtu ka treguar se në Paris ka nëshkruar dy marrëveshje Francë-Kosovë, teksa Macronin e ka ftuar për vizitë në Kosovë. E i pari i Francës i është përgjigjur se këtë gjë do ta bëjë në një kohë të përshtatshme.

“Arritëm dy marrëveshje të rëndësishme me Francën, atë të shkëmbimit të dhënave në mes të dy ministrive të brendshme dhe mundësinë e punësimit të familjarëve të diplomatëve të Francës dhe Kosovës. U zotuam që të punohet në promovimin e shkëmbimeve ekonomike në mes të Francës”, ka shkruar Hoti në Twitter.

Kryeministri Hoti i ka cilësuar të shkëlqyera raportet e Kosovës me Francën.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Francën janë të shkëlqyera, ndërsa Franca ka luajtur rol kyç në të gjitha fazat e shtet ndërtimit të Kosovës dhe populli i Kosovës është mirënjohës për këtë. Biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me fokus në perspektivën euro-integruese, si dhe për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka treguar ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar të martën presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në pallatin “Elize” të Parisit.

Takimi Hoti-Macron ishte paralajmëruar të hënën nga kryeministria.

BE-ja ka bërë e ditur se të premten në Paris do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy ditë më vonë, të dielen, në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që, sipas BE-së, do të shënojë edhe rifillimin e dialogut për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve.

Share.