Makinat pa shoferë do të lejohen në disa nga rrugët e Britanisë deri në fund të vitit, ka thënë qeveria.
Kështu së paku shkruan mediumi britanik Mirror, sipas të cilit Ministria e Transportit tha të mërkurën se ishte duke punuar në ‘formulim specifik’ për të azhurnuar kodin e autostradës së vendit për përdorimin e sigurt të sistemeve të automjeteve vetë-drejtuese.
Me këtë, shkruan ky medium, do të thotë që Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë që njofton se do të rregullojë përdorimin e automjeteve vetë-drejtuese me shpejtësi të ngadaltë në autostrada, me makinat e para të tilla që mund të shfaqen në rrugët publike deri në fund të këtij viti.
Rregullorja do të fillojë me Sistemet Automatike të Mbajtjes së Korsisë (ALKS) – të cilat përdorin sensorë dhe softuer për të mbajtur makinat brenda një korsie, duke i lejuar ata të shpejtojnë dhe të frenojnë pa ndërhyrjen e drejtuesit.
Qeveria tha se përdorimi i ALKS do të kufizohej në autostrada, me shpejtësi nën 37 milje në orë (60 kilometra në orë).
Ministria e transportit parashikon gjithashtu se deri në vitin 2035, rreth 40 për qind e makinave të reja në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë aftësi vetë-drejtuese, duke krijuar deri në 38,000 vende pune të reja.
“Industria e automobilave e mirëpret këtë hap jetik për të lejuar përdorimin e automjeteve të automatizuar në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar, gjë që do ta vendosë Britaninë në pararojë të sigurisë rrugore dhe teknologjisë së automobilave”, citohet të ketë thënë Mike Hawes, CEO i grupit të lobit të industrisë së makinave, Shoqëria e Prodhuesve dhe Tregtarëve të Motorëve.
Por kompanitë e sigurimeve paralajmërojnë se qëllimi i Britanisë për të qenë një lider në miratimin e makinave që drejtojnë vetveten mund të kthehet në efekt negativ nëse prodhuesit e automjeteve dhe rregullatorët nuk përcaktojnë kufizimet aktuale të teknologjisë në dispozicion sot.
Ata thonë se emërtim i ALKS ‘e automatizuar’, ose përdorimi i termit sinonim ‘vetë-drejtimi’, do të ngatërrojë shoferët britanikë në mendimin se makinat mund të drejtohen, duke shkaktuar aksidente dhe duke rrezikuar një reagim publik ndaj teknologjisë. /TV Malisheva