Policia malazeze në fund të muajit shtator kishte arrestuar Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq, pasi që për të njëjtit kishte një fletarrest ndërkombëtar nën dyshimin e kryerjes së krimeve të luftës në Kosovë.
Vukotiq dhe Vuksanoviq kishin qëndruar në paraburgim, duke pritur ekstradimin tek organet e drejtësisë së Kosovës.
Gjykata malazeze kishte vendosur që të njëjtit duhet tu dorëzohen autoriteteve të Kosovës, por kundër vendimit të gjykatës kishte dal ministri i drejtësisë malazeze Marko Kovaq. Ky i fundit këtë vendim e kishte marr një javë para se ti përfundonte mandati.
Gazeta malazeze “Pobjeda” bëri të ditur se Kovaq e ka shpjeguar vendimin me vlerësimin se “ka dyshime për përndjekje politike” dhe se është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, me vlerësimin se ka qenë “moment politik”.
Pas refuzimit për ekstradim të serbëve, të njëjtit janë liruar nga paraburgimi.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe avokati Arbër Jashari. Ai ka thënë se vendimi i ish-ministrit të Drejtësisë të Malit të Zi, është abuzim me kompetencat që ia jap ligji dhe amnisti për “kriminelët” e luftës së vitit 1998-1999.
“Momqillo Vukotiq dhe Zhika Vuksanoviq, dy serb të dyshuar për krime lufte në Kosovë, sot janë të lirë diku në Serbi, vetëm në saje të një vendimi politik të ish ministrit të Drejtësisë së Malit të Zi, Marko Kovaq. Personat në fjalë, të shpallur në kërkim ndërkombëtarë nga drejtësia kosovare, ishin arrestuar gjatë muajit shtator nga autoritet malazeze.
Ndonëse drejtësia e shtetit fqinjë me të drejtë i “paketoi”, për në Kosovë, këtë nuk e miratoi politika, duke mos lejuar ekstradimin e tyre, me pretendimin qesharak se “ka dyshime për përndjekje politike” dhe se “është shkelur neni 3 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore”. Konsideroj se vendimi i ish ministrit të Drejtësisë se Malit të Zi, është abuzim me kompetencat që ja jep ligji dhe amnisti për “kriminelet” e luftës së vitit 1998-1999”, ka shkruar Jashari në një reagim në Facebook.
Ai ka theksuar se Kosova është shtet demokratik, ku gjykatat funksionojnë të pavarura, dhe zbatojnë standardet më të larta profesionale, pa dallim gjuhe, etnie a kombësie.
“Ky vendim dëmton rëndë edhe klimën e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, në çështjet penale me element ndërkombëtare dhe është arsye e mjaftueshme qe edhe Ministria e Drejtësisë se Kosovës mbi bazën e parimit të reciprocitetit, të përgjigjet me kartën e njëjtë në të ardhmen, për personat e kërkuar nga Mali i Zi”, është shprehur Jashari.
Për çështjen e mos-esktradimit të tyre kishte folur edhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Abazoviq ka thënë se ekstradime nuk kanë bërë as në Rusi.
“S’kemi bërë ekstradim as në Rusi”, tha Abazoviq, ndërsa është pyetur se si po e krahason Kosovën me Rusinë.
“Absolutisht jo, s’po e krahasoj por unë e kam pyetur ministrin e Drejtësisë rreth kësaj çështjeje sepse ne nuk i mbrojmë njerëzit e tillë, por ne deri më tash kemi pasur edhe disa kërkesa nga Rusia që disa qytetarë të Ukrainës të cilët nuk kena dashtë me i ekstradu. Ky është vendimi ynë për momentin”, kishte deklaruar Abazoviq, në emisionin “Kallxo Përnime”.
/TV Malisheva