Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, të hënën, me kërkesën e MAPL-së kanë rishqyrtuar dhe shfuqizuar projektbuxhetin e miratuar javë më parë, raporton TV Malisheva.
Në mbledhjen e dytë urgjente, Kuvendi i Komunës së Malishevës, rishqyrtoi dhe shfuqizoi vendimin për miratimin e Buxhetit të Komunës së Malishevës për vitet 2022-2024 të miratuar në mbledhjen e parë urgjente.
Drejtori për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, prezantoi projektbuxhetin për vitin 2022, para këshilltarëve, kurse më pas u debatua nga këshilltarët për buxhetin si dhe u propozuan kërkesat përmes përfaqësueseve të subjekteve politike.
Në fund të mbledhjes së sotme me shumicën e votave, Kuvendi miratoi projektbuxhetin e Komunës së Malishevës për vitet 2022-2024, me theks të veçantë për vitin 2022, në vlerë prej 15,655,757 €, që krahasuar me vitin e kaluar, është rreth 755 mijë euro më i lartë.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i ka falënderuar gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal që përkrahen miratimin e këtij projektbuxheti, që për synim ka fillimin e realizimit të projektit për Malishevën urbane dhe përkrahjen e gjithë projektve të sektorëve tjerë, me interes të përgjithshëm qytetarë.
Kujtojmë që javë më parë MAPL-ja ia ka kthyer në rishqyrtim projektbuxhetin që komuna e kishte miratuar për vitet 2022-2024./TV Malisheva