Dy fitore, një barazim dhe një humbje. Skuadra e Malishevës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edicionin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.
Klubi nga është themeluar pesë vite më parë, derisa pas një kampanje senzacionale edicionin e kaluar, sivjet po luan në elitën e futbollit të Kosovës.
Edicionin e ri, Malisheva e ka nisur me dy fitore, një barazim dhe dy humbje, derisa befasinë më të madhe e shkaktoi në pasditën e djeshme.
Djelmoshat që drejtohen nga Arsim Thaqi e mposhtën në stadiumin “Fadil Vokrri” fituesin e Kupës së Kosovës, Llapi me rezultat bindës, 0:3.
Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu u shpreh tejet i kënaqur me fillimin e edicionit të ri për skuadrën e tij.
Ai shpreson se skuadra e Malishevës do të vazhdojë me këtë ritëm.
“Kemi filluar siç është më së miri fillimin e kampionatit, për një skuadër të sapo-promovuar është një nisje e mbarë dhe shpresoj se do të vazhdojmë me këtë seri pozitive dhe të ecim me këmbë në tokë”, ka thënë mbrojtësi i Malishevës duke vazhduar:
“Të futemi ndeshje për ndeshje dhe rezultatet nuk mungojnë këtë angazhim si dhe puna që po e bëjmë po shpërblehet. Realisht nuk ka ndjenjë më të mirë se të debutojmë me këto rezultate pozitive me skuadër fantastike siç është Malisheva”.
Kryeziu thotë se pritjet i kanë të mëdha derisa synojnë mesin e tabelës, por pse jo edhe daljen në Evropë.
“E kemi pritur këtë fillim sepse kemi bërë një fazë përgatitore mjaft të mirë dhe normalisht kur je i përgatitur, i përballon çdo skuadreje. Synimet kuptohen se janë mesi i tabelës, por kështu si e kemi nisur, shpresojmë të mos ndalemi dhe pse jo ta prekim Evropën”, përfundoi të enjten për FrontOnline Dren Kryeziu.
Ndeshjen e radhës, Malisheva e zhvillon kundër Feronikelit të shtunën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë.