Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, bashkë me nënkryetarin Vesel Krasniqi, drejtorin e Urbanizmit Avdi Morina, drejtorin e Administratës Fatmir Ademaj dhe drejtues të tjerë të qeverisjes komunale në Malishevë, kanë marrë sot pjesë në ceremoninë e hapjes së punimeve të projektit “Ndërtimi i Rrugës Ibrahim Mazreku” në qytet.
Nisjen e këtyre punimeve e ka përshëndetur kryetari Ekrem Kastrati, ku në një fjalë rasti, mes tjerash tha se, kjo është një ditë e jashtëzakonshme për Malishevën dhe qytetarët e saj, për faktin se sot po fillon jetësimi i projektit tonë madhor për Malishevën Urbanë, për të cilin edhe jemi zotuar gjatë garës së fundit elektorale, për çka edhe na është dhënë besimi i qytetarëve dhe tashmë po e vëmë në jetë bashkë me partnerin tonë qeverisës.
Ndërtimi i rrugës “Ibrahim Mazreku” është vetëm një segment i projektit tonë të madh, ku më pas do të vijojmë edhe me ndërtimin e sheshit dhe zonave tjera të qytetit, deri në urbanizimin e plotë të Malishevës sonë, tha kryetari Kastrati.
“Malisheva Urbane është një projekt i madh, që merr kohë dhe mund të krijojë ngarkesa në trafik, dhe për këtë me sinqeritetin më të madh kërkoj mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe të bizneseve, të cilat preken nga ky projekt, veçmas gjatë kohës sa do zgjasin punimet. Malishevën Urbane e meritojnë qytetarët tanë dhe ne po e bëjmë të tillë! Urime!”, tha në fund të fjalës së tij, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Realizimi i këtij projekti përfshinë dy faza; 1. Rregullimi i infrastrukturës nëntokësore / kanalizimi i ujërave atmosferik me kanal betoni, kanalizimi i ujërave fekale me gyp të brinjëzuar i cilësisë më të lartë, vendosja e gypit të ujit me kapacitet të lartë, instalimi i sistemit energjetik nëntokësor, dhe sistemeve tjera të internetit, etj. Ndërsa faza e dytë përfshinë rregullimin e infrastrukturës finale, si asfaltimi dy shtresorë, lirimi i hapësirave publike për vendosjen e trotuareve për këmbësorë me materialet më inovative në treg, duke përfshirë ndriçimin publik efiçient, vend pushimore për qytetarë, hapësira me gjelbërim, shporta për mbeturina dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, si dhe vendosja e dy rreth rrotullimeve që mundësojnë qarkullimin sa më të lehtë të automjeteve.
Vlera financiare e këtij projekti është 2.6 milionë euro, që financohet nga buxheti i Komunës së Malishevës.
/TV Malisheva