Gjendja me covid-19 në Komunën e Malishevës është në kontroll dhe momentalisht janë 18 raste aktive, por pavarësisht kësaj, komuna ka filluar që krahas masave të mëhershme, të zbatoj edhe vendimin e fundit të qeverisë, për masat shtesë mbrojtëse. Kjo është bërë e ditur në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, të drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.

Nënkryetari Berisha, ka kërkuar nga të gjitha drejtoritë që të punojnë me staf të reduktuar, përkatësisht personat e vjetër dhe personat me sëmundje kronike të lirohen përkohësisht, si dhe ka kërkuar që të reduktohet puna me palë, përjashtuar rastet e domosdoshme, por puna të vazhdoj normalisht.

Drejtori për shëndetësi, Liridon Hoti ka bërë të ditur se në QKMF është rritur numri i pacientëve, si dhe ka parashtruar nevojën e rritjes së numrit të punëtorëve shëndetësor, edhe pse janë duke u kryer të gjitha shërbimet.

Edhe në fushën e arsimit, drejtori komunal për arsim dhe edukim, Blerim Thaçi, ka bërë të ditur se procesi mësimor është duke vazhduar normalisht dhe në rastet kur mësimdhënësit duhet të izolohen për shkak të kontakteve me rastet aktive me covid, ata zëvendësohen.

Ndërsa drejtori i inspektoratit, Dibran Kastrati, ka bërë të ditur se e kanë marrë vendimin e qeverisë për masat shtesë dhe inspektorati do të jetë në vazhdimësi në terren për zbatimin e këtyre masave. Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë proceduar më shumë se pesëqind lëndë për gjykatë, për rastet e mos zbatimit të masave nga ana e subjekteve afariste apo qytetarëve.

Drejtoresha e Administratës, Besartë Kryeziu-Ramaj, ka bërë të ditur se janë duke u kryer të gjitha shërbimet në komunë, ndërsa drejtori i shërbimeve publike, Milazim Morina, gjithashtu ka njoftuar se janë duke u kryer të gjitha shërbimet komunale, si furnizimi me ujë dhe grumbullimi i mbeturinave. /TV Malisheva

Share.