Ditë më parë në fshatin Shkozë të Komunës së Malishevës, ka filluar ndërtimi i fushës së sportit për nxënësit e shkollës dhe rininë e fshatit.
Punimet në ndërtimin e fushës së sportit, i kanë parë afër nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori komunal për urbanizëm, Ahmet Morina, të cilët janë takuar edhe me drejtorin dhe mësuesit e shkollës.
Nënkryetari Berisha, ndër të tjerash tha se “ndërtimi i kësaj fushe ka rëndësi të madhe për të gjithë nxënësit por edhe për rininë e fshatit Shkozë dhe do të kujdesemi që kjo fushë të ndërtohet sipas parametrave të paraparë dhe standardeve për fushat e vogla sportive“.
Ndërsa drejtori i urbanizmit, Morina, tha se “kjo fushë, për shkak të specifikave të terrenit, do të kushtojë afro 70 mijë euro dhe e tëra mundësohet nga buxheti i Komunës së Malishevës, ndërsa punimet do të realizohen sipas dinamikës së paraparë”./TV Malisheva