Sot, në 22 vjetorin e rënies, janë përkujtuar dëshmorët dhe heronjtë e kombit, Ibrahim Mazreku, Milaim Beha, Ejup Kryeziu dhe Kujtim Krasniqi, të cilët me 2 qershor 1999, kanë rënë heroikisht në luftë për çlirimin e vendit.
Në përkujtimin për dëshmorët, krahas familjareve dhe bashkëluftëtarëve, kanë marrë pjesë edhe nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, drejtor dhe zyrtar komunal, zyrtarë të FSK-së, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.
Fillimisht janë bërë nderime pranë bustit të Ibrahim Mazrekut në shkollën fillore në Malishevë, emrin e të cilit e mban shkolla, dhe më pas janë bërë nderime edhe në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë, ku prehen trupat e katër dëshmorëve.
“Është përgjegjësi institucionale që dëshmorët e kombit t’i nderojmë çdo ditë. 22 vite më parë, ishte ditë e rëndë, pasi ranë katër dëshmorët të cilët sot po i kujtojmë. Agu lirisë po ofrohej dhe fundi i luftës pothuajse shihej, por edhe në momentet e fundit, të gjithë dëshmorët luftuan për një qëllim që e kishin, lirinë e Kosovës”, tha mes tjerash në fjalën e rastit, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha.
Për dëshmorët, për vlerat, sakrificën dhe veprat e dëshmorëve, ka folur kryetari i degës së OVL të UÇK-së, Metush Kryeziu, ndërsa në emër të familjareve, të gjithë ata që sot kanë nderime dhe kanë marrë pjesë në përkujtimin e rënies së dëshmorëve, i ka falënderuar, Rexhep Mazreku./TV Malisheva