Drita jeshile e Kuvendit të Bullgarisë që Maqedonia e Veriut të fillon negociatat me BE-në nuk mund të merret si e tillë derisa fjalën e fundit nuk e thotë presidenca franceze.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani thotë se si fillimisht duhet parë çfarë ka miratuar parlamenti në Sofje, që në fund edhe Maqedonia e Veriut të prononcohet për të.
“Duhet ta shohim se çfarë teksti ka miratuar Bullgaria dhe si ajo do të rrugëton deri tek versioni final që do ta dorëzon presidenca franceze. Versioni i dërguar tek vendet anëtare është draft i papërfunduar sepse çështjet për ta cilat nuk u pajtuam dyja palët mbetën në thonjëza. Të shohim nga fillimi cili është versioni bullgar dhe cili do të jetë qëndrimi i presidencës franceze pas qëndrimeve tona një ditë më parë nga Brukseli”, tha Osmani.
Nga draft propozimi francez, tri çështje mbeten të papranuara për Shkupin. Osmani thotë se interesat shtetërore nuk do të lëkunden derisa përfshirja e protokollit në kornizën negociuese do të hapte probleme të reja të cilat do të çonin deri në ngrirjen e aktiviteteve të komisionit historik.
Osmani tha se nëse fjala protokoll hiqet nga korniza, propozimi francez do të jetë i pranueshëm.
“Qëndrimi i jonë i cili paraprakisht iu komunikua presidencës franceze dje u tha publikisht për shkak të rrethanave objektive sepse nuk deshëm të ndikojmë negativisht në zhvillimet e brendshme të një shteti tjetër është shumë i qartë: tri çështje janë të rëndësishme që neve të themi po ose jo mbi ndonjë propozim: çështja e gjuhës, çështja e përjashtimit të interpretimeve historike nga korniza negociuese dhe e treta dinamika mes ndryshimit të kushtetutës dhe fillimit të negociatave”, theksoi Osmani, Ministër i Jashtëm.
Lidhur me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, i pari i diplomacisë thotë se në propozim nuk përmendet pakica bullgare, por bashkësitë dhe pakicat.
Megjithëse shton se përfshirja e pakicës bullgare në preambulë nuk përbën problem dhe se bashkërisht me to duhet përfshirë edhe pakicat tjera.
Lidhur me akuzat për përçarje politike brenda shtetërore mbi propozimin në fjalë, Osmani hodhi poshtë zëra që partitë shqiptare janë kundër interesave shtetërore dhe se partnerët e koalicionit qeverisës janë të unifikuar mbi qëndrimin të cilin kryeministri Dimitar Kovaçevski e shpalosi ditë më parë në Bruksel. /Alsat.mk