Grupi parë prej 149 qytetarësh afganë kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut, qytetarë këta të cilët Republika e Maqedonisë Veriore shprehu gatishmërinë për t’i strehuar përkohësisht. Ministri i Punëve të Jashtme të këtij vendi, Bujar Osmani doli për t’i mirëpritur të njëjtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Osmani deklaroi se afganët që tashmë janë në Maqedoninë e Veriut janë punonjës ose bashkëpunëtorë të organizatës ndërkombëtare “Partneriteti i Qeverisë së Hapur” ku Maqedonia e Veriut është anëtare zyrtare, punonjës ose bashkëpunëtorë të Transparency International, Forumit Ekonomik Botëror dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, së bashku me familjarët e tyre.

“Sot ka arritur grupi i parë nga 149 qytetarë nga Afganistani për të cilët shteti shprehi gatishmëri që t’ju sigurojë strehim të përkohshëm, këta janë njerëz që kanë punuar në organizata ndërkombëtare të ndryshme, organizata që edhe shteti ynë është anëtar siç është Open Gavement Partnership e tjera me të cilat kemi punuar për 20 vite në Afganistan. Pra këta njerëz janë aleatë tanë me të cilët kemi punuar së bashku, më cilët kemi shpërndarë vlerat tona, njerëz të cilëve sot jo me dëshirën e tyre, kanë të rrezikuar jetën dhe jetët e fëmijëve të tyre, prandaj ne vendosëm t’u dalim në ndihmë kur ata kanë më së shumti nevojë dhe t’ju ofrojmë strehim të përkohshëm”, deklaroi Osmani.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut u shpreh se tashmë është ngritur një trup ndërministror i cili po merret me çështjen e afganëve.

Osmani tha se të gjitha shpenzimet do të hiqen nga Shtetet e Bashkuara dhe organizata të ndryshme dnërkombëtare, por u shpreh se as Maqedonia e Veriut nuk do të kursejë asgjë.

Ndërsa, shefja e Shërbimit Emergjent Mjekësor në Qendrën Shëndetësore të Shkupit, Milica Bubalo, deklaroi se të gjithë të ardhurit nga Afganistani do t’io nënshtrohen testimit për COVID si dhe ata që nuk janë të vaksinuar, nëse duan, mund të vaksinohen në Maqedoninë e Veriut.

“Ministria e Shëndetësisë së bashku me të gjitha me të gjitha institucionet shëndetësore, do t’u ofrojnë të gjitha shërbimet shëndetësore qytetarëve afganë te cilët kanë arritur në vendin tonë. Kështu që në fillim të gjithëve do t’u bëhet testi PCR për COVID-19 dhe do të vërtetohet statusi i tyre në lidhje me vaksinimin dhe nëse shprehin dëshirën për t’u vaksinuar do te vaksinohen, nëse nga testimi del se ndonjëri është i infektuar ata do të karantinohen për 14 ditë”, deklaroi Bubalo.

Ndryshe Maqedonia e Veriut ka pranuar të strehojë 780 qytetarë afganë të cilët kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe me NATO-n por që jeta e tyre është rrezikuar pas ardhjes në pushtet të talebanëve. /TV Malisheva

Share.