Kontrabanda e duhanit përmes portit të Tivarit është klinikisht e vdekur, tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, teksa më 14 maj u krye një aksion në këtë port, duke u konfiskuar rreth 145,000 pako cigaresh. Vlera e cigareve të sekuestruara vlerësohet se është dhjetëra-milionë euro.

“Kjo kurrë nuk ka qenë punë shtetërore, por një mashtrim i madh që është bërë. Sot ne po e përfundojmë këtë proces. Procesi i transportit do të fillojë dhe do të marrë kohë disa ditë. Siç kemi premtuar, ne do të luftojmë të gjitha llojet e krimeve dhe mafian”, tha Abazoviç.

Abazoviç, ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviç, ai i brendshëm, Filip Azhiç, ministri pa portofol, Zoran Millaniç dhe drejtori i Doganava, Rade Millosheviç, morën pjesë në këtë aksion.

Vendimet për të ndaluar magazinimin e duhanit në Portin e Tivarit ishin ndërmarr në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar nga Qeveria paraprake e Zdravko Krivokapiç, dhe pronarëve të cigareve iu ishte dhënë afat që t’i largojnë ato nga depotë në këtë port.

Pasi afati për eksportin e produkteve të duhanit skadoi para disa muajsh, Dogana e Malit të Zi urdhëroi autoritetet në portin e Tivarit që të konfiskojnë produktet e duhanit që gjendeshin në depo.

Abazoviç tha se qëllimi i këtij aksioni ishte që të krijohej një infrastrukturë ligjore, të shiteshin cigaret dhe të mbushej arka e shtetit nga tatimet.

“Shteti i Malit të Zi konfiskoi dhjetëra-milionë euro cigare pa akcizë – po ndalojmë kontrabandën e cigareve”, shkroi Abazoviç në një postim në Twitter pas aksionit./rel/

/TV Malisheva

Share.