Rreth 7 mijë maturantë i janë nënshtruar testit të maturës në afatin e dytë që është mbajtur sot (e shtunë). Ministria e Arsimit (MASHTI) e vlerësoi procesin si të rregullt, ndërsa u shpreh se në 69 qendra nuk janë shfaqur probleme. Megjithatë, sikurse në afatin e qershorit, ashtu edhe në atë të gushtit, numri i maturantëve që i nënshtrohen testit është i ulët, me nxënësit që shmangin provimin që teston njohuritë e fituara në arsimin parauniversitar.
Zyrtari i lartë për vlerësim në MASHTI, Afrim Rrahmani, deklaroi se në bazë të raporteve nuk ka pasur ndonjë problem dhe se testi i maturës ka përfunduar sipas rregullave të parapara.
“Në afatin e gushtit testin e maturës e kanë paraqitur rreth 7000 nxënës që gjithsej kanë qenë 69 qendra në të gjithë Kosovës, d.m.th. në të gjitha komunat e Kosovës. Mbarëvajtja e procesit ka qenë në rregull, në bazë të raporteve që i kemi nga tereni nuk kemi pasur ndonjë ngatërresë, as ndonjë ankesë nga ana e nxënësve, as nga ana e mësimdhënësve dhe administruesve. Testi ka qenë i paraparë të zgjatë 150 minuta d.m.th. dy orë e gjysmë. Në të gjithë vendin ka filluar me kohë dhe ka mbaruar me kohe d.m.th. sipas kohës së paraparë”, tha Rrahmani
Rrahmani pranoi se edhe këtë vit ka pasur rrjedhje të testit në rrjetet sociale, por sipas tij, një analizë më e detajuar do të bëhet të hënën.
Po në fillim të javës së ardhshme do të kuptohet qartë nëse ka pasur nxënës e monitorues që e kanë shkelur rregullat, e ndaj të cilëve paralajmërohen ndëshkime.
“Në bazë të raportit që kemi, ka pasur rrjedhje të testit por ato kanë qenë mbas orës 10:00, nxënësit prapë kanë gjetur hapësirë për të kopjuar, por numri është shumë i vogël d.m.th. është numër i vogël të atyre që kanë arritur të nxjerrin testin ne rrjete sociale, nuk i kemi raportet e plota se sa nxënës e kanë keqpërdorë këtë, këtë do të kemi të hënën pasi t’i mbledhim të gjitha raportet nga tereni dhe do të shohim se cili është numri i atyre që janë larguar dhe a ka nga mësimdhënës që nuk e kanë kryer punën si duhet dhe janë larguar për shkak të pakujdesisë në punë”, tha Rrahmani.
Rrahmani deklaroi se numri i atyre që i janë nënshtruar testit të maturës nuk përkon me numrin në total të maturantëve. Sipas tij, nxënësit po heqin dorë nga studimet për të vijuar me punë.
Këtë fakt ai e sheh pozitiv dhe vetëdijesim nga nxënësit.
“Edhe në afatin e qershorit, numri i nxënësve që kanë paraqitur testin e maturës ka qenë më i madh në krahasim me numrin që i janë nënshtruar testit të maturës, edhe në afatin e gushtit numri ka qenë më i vogël d.m.th. ka pasur më pak të interesuar për testin e maturës në krahasim me nxënësit potencialë që është dashur t’i nënshtrohen testit të maturës. Tani shkollat profesionale ka gjasë që testin e maturës nuk e shohin të rrugës t’i nënshtrohen për shkak se kanë vazhduar punën e tregut d.m.th. në treg të punës, kanë vazhduar karrierën e tyre në tregun e punës dhe nuk e shohin të rrugës të vazhdojnë studimet për shkak se gjenden në punë të ndryshme d.m.th. në biznese, sepse testi i maturës është vetëm për vazhdimin e studimeve. Unë e shoh vetëdijesim të nxënësve për të mos e ngarkuar veten, mos me u mundu, për shkak se ka shumë nxënës e mbarojnë maturën dhe vazhdojnë vetëm në punë dhe nuk i vazhdojnë studimet. Ndoshta edhe tregu i punës është më absorbues, ka potencial më shumë për t’u punësuar të rinjtë dhe heqin dorë nga testi maturës”, shtoi Rrahmani.
Pragu i kalueshmërisë në testin e maturës është 40% e totalit të pikëve të mundshme. Vetëm kandidatët që e arrijnë këtë prag kalueshmërie mund të aplikojnë për regjistrim në studime në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Testi ka pasur gjithsej 100 pyetje apo detyra nga 25 kërkesa për secilën nga katër lëndët e përfshira. Në test janë përfshirë tri lëndë obligative, gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë dhe një lëndë zgjedhore që është përzgjedhur nga vet kandidati nga mesi i lëndëve zgjedhore që i janë ofruar.
/TV Malisheva