Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, aktori i madh i skenës dhe filmit shqiptar, Mirush Kabashi, u shua të martën në moshën 75-vjeçare.

Këtë të mërkurë prej orës 10:00 po mbahen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë dhe homazhet në nder të figurës së tij.

Qytetarë, artdashës, miq, politikanë dhe familjarë të Mirush Kabashit kanë zhvilluar homazhe për artistin e dashur për publikun shqiptar.

Thuajse 5 vite me një sëmundje shumë të rëndë, Mirush Kabashi mbylli të martën sytë për herë të fundit.

Disa nga artistët që kanë shkuar të bëjnë homazhet kanë qenë Luftar Paja, Zamira Kita, Kastriot Çushi, Zhani Ciko, Aishe Stari dhe shumë të tjerë.

“Nga politikanët deri në këto momente ka shkuar kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj”, raportoi nga homazhet gazetarja e Euronews Albania, Enilda Miftari.

Mirush Kabashi ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.

Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Share.