Në orët e para të ditës së premte kanë mbërritur në Shqipëri 121 qytetarët e parë afganë që do të strehohen në Durrës. Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se në mesin e tyre janë edhe 11 foshnja.

“Ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja, të cilët aktualisht i janë nënshtruar përpunimit të të dhënave individuale. Më pas ata do të nisen drejt strukturave hoteliere në Durrës”, thuhet në njoftim.

Qytetarët afganë janë pritur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, drejtues të Forcave të Armataosura dhe Policisë së Shtetit.

Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, derisa të përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata që kanë mbërritur sot në Tiranë janë pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave dhe ishin për 20 vjet aleatë të NATO-s dhe forcave perëndimore. /TV Malisheva

Share.