Të dielën do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Republikën e Kosovës.

Më 6 tetor , 1 milionë e 937 mijë e 869 votues do t’i drejtohen qendrave të votimit për të votuar r të preferuarin e tyre për ta udhëhequr qeverinë e re.

E prej tyre, në këto zgjedhje 87 mijë e 180 votues të rinj do të votojnë për herë të parë.

Këtë e ka bërë të ditur për IndeksOnline, zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi tha se listës përfundimtare të votuesve i janë shtuar edhe 24 mijë e 553 votues që nuk kanë qenë pjesë e listës votuese të këtyre zgjedhjeve.

“Sipas listës përfundimtare të votuesve, e cila është miratuar nga KQZ-ja, të dielën në Republikën e Kosovës kanë të drejtë vote 1 milion e 937 mijë e 869 votues.

Pra, janë 111 mijë e 733 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Nga këta 111 mijë e 733 votues, janë 87 mijë e 180 votues të rinj që pas zgjedhjeve lokale 2017 kanë arritur moshën 18 vjeç, e që do të votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, si dhe janë 24 mijë e 553 votues që nuk kanë qenë pjesë e listës votuese të këtyre zgjedhjeve por që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil midis dy palë zgjedhjesh ose që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi për IndeksOnline.

Zëdhënësi i KQZ-së shtoi se të dielën do të hapen 895 qendra të votimin me 2 mijë e 547 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19.

Ndërsa, i kontaktuar nga Indeksonline, meteorologu Sylë Tahirsylaj ka deklaruar se në ditën e zgjedhjeve do të ketë rënie të temperaturave, por që nuk do të jenë ekstreme.

“Moti ka me qenë i ndryshueshëm në vikend me mundësi të reshjeve të shiut, ka me pas ulje të temperaturave, por jo edhe aq ekstreme. Minimalja do të jetë 8C, kurse maksimale deri në 17C”, tha ai.

Share.