Në fund të muajit qershor numërohen 725, 572 vende pune me një rritje prej mbi 15 mijë vendesh krahasuar me qershorin e vitit 2021.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Delina Ibrahimaj deklaroi një ditë më parë gjatë konferencës së përmuajshme për shtyp mbi zhvillimet në ekonomi se krahas rritjes së punësimit edhe pagat kanë vijuar rritjen.

“Në fund të muajit qershor vendet e punës në vend arritën në nivelin 725.572 vende pune, një numër ndjeshëm më i lartë se sa një vit më parë, 15.108 vende pune më shumë se sa një vit më parë. Sigurisht punësimin e krahasojmë më një vit më parë duke qenë se ka një sjellje sezonale, pasi ka shumë biznese të cilat çelen për periudhën e verës dhe për të mbështetur turizmin. Por kjo dhe të gjitha shifrat e tjera tregojnë se është një sezon më i mbarë për ekonominë dhe për turizmin në veçanti. Nga ana tjetër pagat kanë vijuar të rriten dhe duke mbështetur kështu indirekt buxhetet e familjeve shqiptare, për përballimin e krizës së çmimeve”, tha Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se, ekonomia e vendit ka vijuar performancën e saj pozitive, pavarësisht ndikimit negativ që ka pasur agresioni rus në Ukrainë, shoqëruar me një rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe në vendin tonë.

Kjo ecuri pozitive e ekonomisë, tha Ibrahimaj, është mbështetur edhe nga politikat e ndërmarra nga qeveria, të cilat kanë pasur si qëllim mbështetjen e shtresave më në nevojë, ruajtjen e nivelit të konsumit dhe rritjen e mëtejshme të nivelit të investimeve./atsh/

/TV Malisheva

Share.