Në 51-vjetorin e themelimit të Arkivit Komunal të Prishtinës sot u promovua libri “Katalogu i dokumenteve osmane në arkivin komunal të Prishtinës” , ku u tha se dokumentet e zotëruara nga Arkivi i Perandorisë Osmane janë shumë të vlefshme për Komunën e Prishtinës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Mbi 7500 dosje arkivore me gjithsej 38 mijë e 598 dokumente që kanë të bëjnë me Komunën e Prishtinës janë përfshirë në këtë libër.

E gjithë kjo ishte bërë e mundur me vizitën që u bë në Arkivin e Perandorisë Osmane në Stamboll në vitin 2017 nga një delegacion i Komunës së Prishtinës i kryesuar nga nënkryetari Muhedin Nushi, ku arritën të tërheqin mijëra dokumente, ne formë digjitale, të dokumenteve të kohës së administratës së Perandorisë Osmane, për dhe nga Komuna e Prishtinës.

Të gjitha këto dokumente janë të përkthyera dhe listuar në librin “Katalogu i dokumenteve osmane në arkivin komunal të Prishtinës” dhe paraqesin një potencial të burimeve historike për studiuesit e hulumtuesit e kësaj periudhe historike.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se ky libër është shumë i vlefshëm për Arkivin e Komunës së Prishtinës pasi që përmban një përmbledhje të dokumentacioneve të rëndësishme.

Ahmeti tha se libri përmban dokumente zyrtare dhe informacione të rëndësishme për Komunën e Prishtinës.

Ahmeti: Libri, pasuri për të gjithë Kosovën

 

“Pas një procedure dhe procesi trevjeçar, ta kemi këtë libër para nesh po e quaj libër dhe pasuri ndoshta jo vetëm e Komunës së Prishtinës po në përgjithësi edhe të Kosovës edhe të kombit shqiptar për shkak se mendoj se me të vërtetë është një xhevahir tashmë i hulumtueseve dhe historianëve dhe të gjithë atyre të cilët duan ta kenë një fotografi më të qartë të së kaluarës tonë… Jam çuditë me dokumentacionin dhe atë çka mund të gjejmë prej problemeve në fshatrat e Prishtinës deri te kërkesat e ndryshme për shitje të gjësendeve, pronave të ndryshme nëpër Prishtinë, ka edhe dokumentacione të prokurimit publik kur jon ble gjëra të ndryshme nga Komuna e Prishtinës e deri te dokumentet zyrtare të cilat shkojnë në mes të qendrave të ndryshme”, u shpreh Ahmeti

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se marrja e këtyre dokumenteve nga Stambolli dhe sjellja në Prishtinë, ka qenë një arritje e madhe.

Sipas tij, mbi 7500 dosje arkivore janë marrë me gjithsej 38 mijë e 598 dokumente. Ai theksoi se Komuna e Prishtinës e ka financuar këtë botim i cili është i pari që nga viti 1999.

Nushi: Mbi 7500 dosje arkivore janë marrë nga Stambolli

 

“Duke u thirrur në marrëveshjen ekzistuese të të dy arkivave, delegacioni ynë u kthye në Prishtinë me të gjitha dokumentet që i përkasin Komunës së Prishtinës dhe të gjitha dokumentet janë kopje të digjitalizuara gjithsej 7 mijë e 519 dosje arkivore janë marrë me vete me gjithsej 38 mijë e 598 dokumente… Marrja e këtyre dokumenteve nga Stambolli dhe sjellja në Prishtinë paraqet një të arritur të madhe sa i përket vetë qytetit të Prishtinës e sidomos pasurimit të fondeve dhe koleksioneve arkivore në arkivin e Prishtinës. Për ta lehtësuar punën sa më tepër të studiuesve Komuna e Prishtinës e ka mbështetur financimin e këtij katalogu, njihet ndër më të veçantit në regjion i cili është botimi i parë nga Komuna e Prishtinës që nga viti 1999”, u shpreh Nushi

Sipas ekspertit të Arkivit së Prishtinës, Jusuf Osmani ky libër i cili përmban dokumentacionet e Arkivit të Stambollit, ndriçon të kaluarën e vendit tonë.

Kjo pasi, sipas tij, për shkak se e kaluara historike e një vendi dhe një populli në një kohë reale mund të shpjegohet në bazë të dokumenteve arkivore.

Osmani: E kaluara historike shpjegohet në bazë të dokumenteve arkivore

 

“Botuesit e këtij libri i përgëzoj për punën që kanë bërë me botimin e katalogut … në ndriçimin e të kaluarës historike të trevës së kësaj komune dhe më gjerë me bazë të dokumenteve të proveniencës osmane…Të bazuar në atë se e kaluara historike e një vendi dhe një populli në një kohë reale mund të shpjegohet në bazë të dokumenteve arkivore, andaj edhe Arkivi i Prishtinës në kuadër të veprimtarisë profesionale të udhëhequr nga drejtori Makolli iu ka hasur punës që të ndriçojë të kaluarën historike, të argumentojë dhe publikojë të vërtetën shkencore të trevës së Prishtinës në bazë të dokumenteve autentike arkivore të periudhës së caktuar”, u shpreh Osmani./TV Malisheva /

Share.