Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.607.518 doza të vaksinës. Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më sot 757.103 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Me qëllim të vaksinimit të nxënësve me vaksinën kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë, ka organizuar sot ekip mobil për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Vaksinimi, i cili do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës, do të zhvillohet nga ora 13:00 në mjediset e kësaj shkolle.

Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen duhet të japin paraprakisht deklaratën e pajtueshmërisë për vaksinim

“Procesi i vaksinimit me ekipe mobile nëpër shkollat dhe nivele e tjera do të vazhdojë, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Drejtoritë komunale për Arsim, ndërsa krahas vaksinimit përmes ekipeve mobile, qytetarët e të gjitha kategorive dhe grup-moshave, mund të vaksinohen çdo ditë pune edhe në qendrat statitke të vaksinimit me vaksinën kundër COVID-19”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

MSh u bën thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar ende apo që nuk e kanë kompletuar procesin e vaksinimit me të dy dozat që ta bëjnë këtë, sepse -thekson MSh- “në këtë kohë kur shtetet e rajonit dhe të kontinentit evropian po përballen me numër të lartë të rasteve të COVID-19, vaksinimi është preventiva dhe mbrojtja më e mirë“./TV Malisheva

Share.