Licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës vazhdon të jetë shqetësim shumë serioz për klubet e Superligës së Kosovës të cilët për shkak të ngërçit në këtë proces po i bartin pasojat e mos përfitimit të të hyrave nga sponsorët.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe më tutje nuk i ka dhënë fund këtij procesi duke kërkuar plotësimin edhe të disa kushteve të tjera nga ana e FFK-së, siç është edhe dokumentacioni i plotë i të gjitha klubeve me statusin e tyre.

Sot, drejtuesit e klubeve të Superligës, por jo të gjithë janë duke e zhvilluar një takim në ambienteve e federatës ku po diskutojnë për hapat që mund t’i ndërmarrin në mënyrë që FFK të licencohet sa më shpejtë.

TV Malisheva mëson se ata do të kërkojnë një takim me Ministrin e Sportit, Hajrulla Çeku për të diskutuar me të mbi arsyet që po e pengojnë përfundimin e licencimit.

Tash e disa javë drejtuesit e klubeve të Superligës janë duke potencuar se mos licencimi i FFK-së është duke i futur ata në një krizë të thellë financiare.

/TV Malisheva

Share.