Në Kuvendin e Kosovës, sot do të mblidhen katër komisione parlamentare.
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike që në rend dite ka shqyrtimin e Raportit të Auditimit për Ministrinë e Diasporë, Investimeve Strategjike, për vitin 2019, do të mblidhet në ora 10:00.
Edhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion do të mblidhet sot.
Në këtë komision i pranishëm do të jetë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi. Aty do të diskutohet lidhur me programin legjislativ për vitin 2020, respektivisht të Projektligjeve të Ministrisë së Drejtësisë si dhe për gjendjen në Institucionet Korrektuese në Republikën e Kosovës për shkak të pandemisë me COVID-19.
Po ashtu do të formohet edhe grupi punues që do të bëjë shqyrtimin e propozimeve për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas. Ky komision do të mbahet në ora 13:00.
Në ora 13:00, do të mblidhet edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për Persona të Pagjetur dhe Peticione. Këtu do të diskutohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit.
Ndërsa, në orën 14:30 do të mblidhet Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Aty do të dëgjohen dëshmitë e dëshmitarëve, ku i pranishëm do të jetë edhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi./Tv Malisheva